NGA FRANCESCA NICCOLAI*

Mbetemi të befasuar nga pritja që na rezervon drejtori i Autoriteti Portual i Durrësit, inxhinier Gazmend Shalsi. Pas shumë vitesh mungese dëshire nga porti shqiptar në komunikimet me gazetarët, situata ka ndryshuar dhe prenotimi i një takimi nuk qe i vështirë.

48 vjeç, dy diploma – në inxhinieri mekanike dhe menaxhim ndërmarrjesh, kjo e dyta në Francë – si dhe me përvoja profesionale që shkojnë nga sektori shtetëror në atë privat, Shalsi ka punuar në ndërmarrjet shtetërore gjatë tranzicionit paskomunist, duke kaluar edhe në Ministrinë e transportit. Në 2007 u emërua drejtor dhe administrator i Petroliferës Italo-Shqiptare, terminali i naftës që kontrollohet nga PIR i Ravena-s, vend që e ka mbajtur deri para tre muajsh, kur u thirr të zerë postin më të lartë në portin e Durrësit.

Biseda me inxhinierin, që zhvillohet me një italishte perfekte, fillon pikërisht me raportin delikat mes shtetit dhe privatit në një vend që po del nga stina e vështirë e koncesioneve dhe privatizimeve.

– Drejtor, si e përjetoni rikthimin në një post publik pas përvojës së gjatë të menaxhimit në një ndërmarrje private?

– Kam pasur fatin të punoj në të dy fushat, si në zyrë edhe në terren, duke mësuar artin e çmuar kudo, por edhe më shumë në Shqipëri: atë të ndërmjetësimit, të kompromisit, që përbën bazën e çdo zhvillimi ekonomik dhe social. Vitet e kaluara në Petroliferën e Vlorës, kam administruar raportin e vështirë me banorët, fillimisht të ashpër ndaj terminalit të karburanteve. Por, përmes rrugës së dialogut arritëm në një bashkëjetesë paqësore mes qytetarëve dhe ndërmarrjes, duke nxjerrë përfitime dypalëshe.

Sa i përket bashkëjetesës, a ka një strategji bashkëpunimi mes APD dhe tre operatorëve privatë që menaxhojnë terminalet e mallrave rinfuzo, trageteve dhe atë të kontejnerëve?

– Sigurisht që ka, por duhet përsosur. APD jeton falë këtyre operatorëve, pra është në interesin tonë të punojmë në harmoni të përkryer. Nga ana tjetër marrëdhënia me terminalistët është pak a shumë e re, pasi të gjitha kontratat e koncesionit i përkasin vitit 2013. Porti i Durrësit ka hyrë në një fazë të re të historisë së tij dhe që të gjitha palët duhet të dëshmojnë aftësi të mira adaptimi dhe mirwkuptimi.

– Kurumi, operatori i Terminalit të kontejnerëve, ankohet për një lloj “bojkotimi” të APD ndaj vinçave të saj.

– Kurum u njoftua më parë dhe e dinte që duhet të kishte lejen e APD për përdorimin e atyre vinçave. Meqë bëhet fjalë për pajisje jashtë standardit, është e pamundur leja.

– Le të flasim për investimet. Si po përparon projekti i madh i thellimit të portit?

– Thellësia e pakët dhe fundi prej lymi është pika e dobët e portit, dhe për këtë arsye thellimi përbën prioritetin tonë kryesor. Bëhet fjalë për një projekt prej 22 milionë euro dhe për këtë po negociojmë për një borxh nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI). Shpresojmë t’i mbyllim tratativat në shtator dhe urojmë që punimet të nisin sa më parë. Jemi të kënaqur të punojmë me BERZH, por urojmë që serioziteti dhe vendosmëria e saj të mos përkthehen në ngadalësim të projektit. Në një rast të tillë jemi të gatshëm të kalojmë në një plan emergjence prej 7-8 milionë euro, nga të cilat 3 milion nga fondi i APD dhe pjesa tjetër nga BERZH. Në një rast të tillë thellësia nuk do të arrinte në 11,5 metra, por vetëm në 9 metra.

Një hapësirë tjetër për koncesion është edhe Kalata Perëndimore e portit?

– Po, por këtë herë do të procedojmë me maksimumin e kujdesit, për të mos përsëritur gabimet e rënda të kaluara në fushën e koncesioneve. P. sh. megjithëse projekti i gazsjellësit TransAdriatik (TAP) nuk e përfshin Bashkinë e Durrësit, Terminali mund të shfrytëzohet si bazë logjistike për lëvizjen e tubacioneve dhe pajisjeve.

– Një pyetje e fundit. Si po ecën implementimi i masterplanit portual të vitit 2009, me të cilin janë lidhur planet afatgjata të zhvillimit të portit.

– Koniunkturat ekonomike, lindja e përparësive të reja dhe koncesionet e vitit 2013 për terminalistët privatë e kanë bërë masterplanin pak a shumë të vjetruar. Nevojiten modifikime për korrigjimin e paradokseve si projektimi i një terminali çimentoje pranë terminalit të trageteve ose mungesa e një linje hekurudhore që nuk arrin deri në terminalin e fundit. Kemi krijuar një grup pune për studimin e situatës dhe po punojmë në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve për të vlerësuar ndryshimet që duhen sjellë. Shqipëria është në një fazë rinovimi dhe porti i saj kryesor duhet të ruajë këto ritme.

 

* Marrë nga revista on line “Ship2shore”, 25 maj 2005. Botohet me lejen e zotëruesit të së drejtës së autorit.

 

 

 

 

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi g. k./