31 maj 2015 – Sjellja e tifozëve kuqezi në ndeshjen Shqipëri-Armeni, e luajtur më 29 mars në “Elbasan Arena” i ka kushtuar shumë arkave të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Komisioni i Disiplinës në UEFA e ka ndëshkuar Shqipërinë me 50 mijë euro gjobë për shkak të parrullave raciste dhe hedhjes së mjeteve ndezëse në fushën e lojës. Deri diku ky vendim ishte i pritshëm, por nëse u referohesh ngjarjeve që ndodhën në stadiumin e Beogradit kuptohet qartë se qëndrimi i komisioneve juridike të UEFA-s është me dy standarde. Zyrtarët e UEFA-s nuk e patën të vështirë për të dalluar sjelljet raciste të tifozëve kuqezi me Armeninë, ndërsa në ndeshjen Serbi-Shqipëri, thirrjet “Vritini shqiptarët”, nuk u kuptuan nga UEFA, madje as atëherë kur ato i provuan me zë e figurë në komisionin e Apelit nga pala shqiptare.

FSHF-ja pas kësaj gjobe u kërkon sa më shumë mirëkuptim të gjithë tifozëve dhe dashamirësve te futbollit shqiptar të pranishëm, ose jo, në stadiume. Mbështetësit kuqezi duhet të sensibilizohen dhe të mos kryejnë në të ardhmen të tilla akte, te cilat e dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit, por edhe financat e FSHF-së.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/