31 maj 2015 – I njohur për lidhjet e tij të hershme me sportin e shahut, Durrësi mbrëmjen e kaluar u bë për të katërtin vit radhazi mikpritës i kampionatit kombëtar për moshat e reja.
90 fëmijë dhe të rinj të moshave 10-15 vjeç ishin protagonistët e këtij edicioni, që u organizua në qendër të qytetit bregdetar nga Federata Shqiptare e Shahut (FSHSH) dhe Bashkia e Durrësit.
Majlinda Pilinçi, sekretare e përgjithshme e kësaj Federate tha se ekipet me tre djem dhe tri vajza secili erdhën nga qytetet e Gjirokastrës, Shkodrës, Librazhdit, Lushnjës, Fierit, Gramshit, Kavajës, Shijakut, Korçës, Lezhës, Hasit, Beratit, Krujës dhe Durrësit. Ata konkuruan në tre kategori, të ndarë sipas grupmoshave.
Kampionati është një nga veprimtaritë e shumta që zhvillohen gjatë vitit dhe që synojnë masivizimin e shahut, veçanërisht ndër fëmijët dhe të rinjtë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/