30 maj 2015 – Janë të pakët ata që nuk e njohin pamjen e kësaj fotoje, në lagjen e vjetër të qytetit të Durrësit. Pikërisht këtu takohen rrugicat “Dom Nikoll Kaçorri” dhe “Pal Engjëlli”, rrugë që mbajnë emrat e dy personaliteteve më të rëndësishëm të qytetit nga shekulli i 15-të deri në fillim të shekullit të kaluar. Dom Nikoll Kaçorri, (1862-1917) ishte organizator i shoqatave “Vllaznia” dhe “Bashkimi” në Durrës para se të zgjidhej nënkryeministër i qeverisë së Vlorës, dalë nga shpallja e Pavarsisë. Pal Engjëlli (1416-1470) ishte kryepeshkop i Durrësit dhe njëkohësisht një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Skënderbeut në fushën e diplomacisë.

Kjo lagje, menjëherë pas godinës së bashkisë përfaqëson Durrësin e viteve të Pavarsisë dhe me siguri meriton shumë më tepër vemendje për  trashëgiminë kulturore që ruan. Kompleksi I kon-katedrales “Shën Luçia”, disa banesa të hershme si ajo e familjes Tedeschini apo rrugicat, ku janë xhiruar filma si “Furtuna”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Nusja dhe shtetrrethimi” apo “Tinguj lufte” janë vetëm disa nga vlerat që bart kjo hapësirë e qytetit.