29 maj 2015 – Të gjithë shtetasit e huaj që kanë fituar statusin e refugjatit dhe që kanë përfituar azil në Shqipëri, tashmë kanë pasaportën e tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme realizoi për herë të parë aplikimin dhe prodhimin e pasaportave të udhëtimit për shtetasit e huaj, që kanë fituar statusin e refugjatit dhe mbrojtjes plotësuese në Republikën e Shqipërisë.

Një refugjat i pajisur me këtë pasaportë mund të udhëtojë lirshëm brenda dhe jashtë shtetit, i cili ka pranuar t’i sigurojë mbrojtje atij.

Ndërkohë pajisja me këto dokumente për këtë kategorie personash i ndihmon ata që të përfitojnë arsimim, trajnim apo punësim, bashkim familjar, duke u kthyer në një parakusht thelbësor për një zgjidhje të qëndrueshme për problemet e tyre.

Nga 148 shtete palë të Konventës së Gjenevës, në lidhje me statusin e refugjatit, Shqipëria renditet në listën e vetëm 32 shteteve që e ofrojnë dhe konkretizojnë ketë të drejtë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/