28 maj 2015 – Prindërit shqiptarë duhet të shqetësohen më pak për eskursionet që organizojnë shkollat e fëmijëve të tyre në qytete të ndryshme të rajonit. Një shembull kuptimplotë i udhëtimeve prej disa mijëra km larg vendlindjes është vënë re sot në kroçerën “Thomson Majesty”, që u ankorua paradite në portin e Durrësit.

Një grup prej afro 60 adoleshentësh të moshave 15-16 vjeç ka zbritur nga kroçera së bashku me turistë të moshave të ndryshme nga 13 vende të botës. Sipas të dhënave të agjencisë turistike pritëse, grupi i nxënësve së bashku me mësuesit e tyre vijnë nga Meksika dhe po kryejnë një shëtitje 2-javore në disa nga portet më të rëndësishme të Mesdheut. 

Sot paradite ata kanë nisur vizitat në qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit, si dhe në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Nxënësit nga Meksika kanë zhvilluar vizita të ngjashme edhe gjatë ndalesave në portet detare  në Mikonos, Kusadasi, Pireu, Chania, Kalamata, Ravena, Venecia, Rijeka dhe Dubrovnik.

Në kroçerën e parë të këtij viti në Durrës udhëtojnë 1518 udhëtarë, pjesa dërrmuese e të cilëve nga Britania e Madhe.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/