27 maj 2015 – Partia Demokratike e cilësoi dhunë për shkak të fushatës atë që ndodhi sot në fshatin Kullë. “Dhunohen dhe rrihen barbarisht nën trysninë e armëve sekretari i Seksionit të PD dhe kryeplak në Kullë,Isuf Demiri dhe 3 punonjës së Bashkisë së Sukthit, Xheladin Lusha, Afrim Zeqiraj dhe Daut Lila”, thanë përfaqësuesit e PD-së, duke deklaruar se dhunimi dhe presioni u bë në ambientet e lokalit ku u zhvillua aktiviteti me të rinjtë e kandidates Duma para dy ditësh. “Personat që kanë qëlluar janë Bert Hoxha, koordinator i PS për Sukthin dhe ish kandidati i PS për Sukthin në vitin 2011. Bert Hoxha i njohur për lidhjen e ngushtë me Dakon dhe një grup i drejtuar prej tij kanë shkaktuar edhe para dy javësh incident me armë dhe policia nuk ka marrë asnjë masë”.
Nga ana e policisë së Durrësit u tha se, shkak i konfliktit ka qenë fakti se: dy punonjësit e INUV, Bashkisë Sukth, shtetasit: Xh.L. dhe A.Z. kanë qenë në fshatin Hamallaj ku kanë konstatuar se po bëheshin ndërtime në një kabinë elektrike pa lejen e Komunës, për të cilën kanë mbajtur dhe proçes–verbalin përkatës. Autorët sipas policisë janë G.D dhe B.K, të shpallur në kërkim.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





