27 maj 2015 – Mesfushori Ansi Nika i ka dhënë fund angazhimit të tij disavjeçar me skuadrën e Teutës. Shkodrani aktualisht është në kërkim të një skuadre të re dhe shumë shpejt pritet të firmosë me ndonjë nga skuadrat e Superligës.
Mesfushori deklaroi se aventurës së tij në Durrës i ka ardhur fundi dhe është në kërkim të një skuadre të re. 24-vjeçari tha se “ angazhimit tim disa vjeçar në radhët e Teutës i ka ardhur fundi. Kërkoj një eksperiencë të re dhe jam në pritje të ofertave nga ekipe të ndryshme të kampionatit shqiptar dhe jashtë vendit. Tek Teuta kam kaluar shumë mirë përgjatë këtyre pesë viteve që jam angazhuar dhe jam shumë i kënaqur nga trajtimi që drejtuesit e klubit dhe tifozeria durrsake më kanë bërë. Por, si çdo fillim e ka një fund dhe kësisoj ka ardhur momenti të largohem nga Teuta për të vazhduar karrierën me një skuadër tjetër. Tek Teuta jam përpjekur të jap maksimumin, me qëllim për të ndihmuar skuadrën dhe uroj që Teuta sezonin e ardhshëm të arrijë objektivat dhe të shkojë aty ku e meriton", u shpreh fillimisht mesfushori.
E ardhmja e mesfushorit të talentuar shkodran mbetet mister. Vetë lojtari shprehet se aktrualisht është në kërkim të një skuadre të re dhe deri më tani nuk ka patur kontakte me klube të tjera të Superligës. "Të jem i sinqertë, as vetë nuk e di për kë skuadër do të luaj sezonin e ardhshëm. Deri më tani nuk kam pasur ndonjë kontakt serioz me ndonjë prej drejtuesve të skuadrave të Superligës dhe e ardhmja edhe për mua mbetet mister, i cili pritet të zbardhet ditët në vazhdim, pasi kampionati sapo ka përfunduar dhe merkato ende nuk është çelur zyrtarisht. Dëshira ime e madhe, është të vesh fanellën e ndonjë prej skuadrave që do të pretendojnë sezonin e ardhshëm titullin dhe Kupën e Shqipërisë dhe shpresoj ta arrij këtë objektiv personal. Dua të falenderoj edhe një herë drejtuesit e klubit të Teutës për mbështetjen e tyre përgjatë këtyre pesë viteve dhe tifozerin e mrekullueshme durrsake, e cila më ka mbeshtetur gjithnjë kur kam patur nevojë. kam kaluar vite shumë të bukura këtu në Durrës dhe uroj me gjithë zëmër që Teuta të jetë gjithmonë në majën e futbollit shqiptar", përfundoi mesfushori shkodran.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/