26 maj 2015 – Sokol Çikalleshi, në Itali, mund të ketë një karrierë si të Igli Tares, ndaj për të interesohen Genoa dhe Torino. Kështu shkruan portali italian i merkatos, “Calciomercato.com” teksa analizon dhe parashikon të dhënat e kavajasit 25-vjeçar.
“Eshtë një sulmues shqiptar, i cili mund të ripërsërisë sukseset e Tares në Serie-A”, shkruan portali italian, “Bëhet fjalë për Sokol Çikalleshin, i datëlindjes 1990, lojtar i RNK Split-it në Kroaci”. Portali italian teksa përshkruan të gjithë karrierën e ish-sulmuesit të Kukësit, thotë se performanca e mirë në miqësoren ndaj Italisë, ka bërë që Genoa dhe Torino t’ia vënë syrin “për seriozisht”, për këtë verë.“Cikalleshi rezultoi ndër më të mirët në miqësoren e Marassi-t (stadiumi i Genoas, ku u luajt miqësorja me Italinë), ndaj nuk kaloi pa u vënë re, pikërisht nga drejtuesit e Genoas, të cilët që prej atëherë kanë nisur ta ndjekin”, shkruan “Calciomercato.com”.
“Çikalleshi është një sulmues shumë i fortë fizikisht dhe i aftë edhe të vrapojë shumë. Genoa dhe Torino ja kanë vënë syrin dhe do të bëjnë një tentativë këtë verë për t’ia marrë RNK Splitit”, thotë portali italian duke pretenduar eskluzivitetin e këtij lajmi.
Ky sezon ka qenë pa diskutim sezoni i Çikalleshit. Kavajasi ka zhvilluar plot 39 ndeshje me RNK Splitin, duke gjetur me pasim shokët e skuadrës 5 herë përpara një goli dhe vetë rrjetën 13 herë. Ky sezon i shkon për linjë sezonit të kaluar, kur me Kukësin, sulmuesi 25-vjeçar, shënoi 22 gola (41 ndeshje).
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/