26 maj 2015 – Deputeti demokrat Edmond Spaho ka publikuar këto dy foto në faqen e tij në Facebook, ku pasqyron realitetin e kësaj familjeje të varfër nga zona e plazhit në Durrës, që jeton në kushte tepër të vështira.

Duke treguar pak nga historia e kësaj familjeje, Spaho nuk lë pa akuzuar edhe kundërshtarët e tij politikë, që sipas tij e zbatojnë ligjin me përpikmëri vetëm për fukarenjtë, ndërsa Maliqëve u fërkon kokën.

“Kjo është një familje që jeton në zonën e plazhit të Durrësit në një dhomë prej 5-6 m2.

Para pak kohësh INUK iu prishi një banjë meqënëse e kishin ndërtuar pa leje. Të dy prindërit pa punë. OSHEE-ja iu ka ndërprerë energjinë elektrike sepse nuk kanë paguar faturat.

Mbi këta fukarenj ligji zbatohet me rigorozitet, pa asnjë lëshim, me Maliqët ligji bëhet llastik dhe iu fërkon kokën, madje iu kërkon ndjesë për shqetësimin që mund t’u ketë shkaktuar”, shkruan Spaho.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/