· Mosrepektimin e procedurës e “ratifikon” edhe Agjencia e Prokurimit Publik nën varësinë e Kryeministrit Edi Rama
DURRËS, 25 maj 2015 – Ndonëse do të shkojnë për qejf në Selanik, nëpunësit e portit nuk kanë qejf të plotësojnë me të gjitha specimentet formularin e njoftimit të fituesit për udhëtimin e tyre turistik. Dhe nuk është hera e parë që “Dyrrah”-u ka kritikuar drejtorinë e përgjithshme të personit juridik publik “Autoriteti Portual Durrës” (APD) për neglizhenca apo gafa.
Në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) nr. 20, datë 25 maj 2015, autoriteti kontraktues “Autoriteti Portual Durrës” ka botuar një formular të njoftimit të fituesit për prokurimin e kontratës “Udhëtim turistik për në Selanik”. Tenderi është zhvilluar më 4 maj 2015 dhe në të është paraqitur vetëm një operator ekonomik me ofertën prej 934 986 lekësh.
Por në këtë njoftim nuk është zbatuar praktika në plotësimin e formularit. Mungojnë numri i NIPT-it dhe adresa e ofertuesit fitues; fondi limit, lloji i procedurës së prokurimit, burimi i financimit, data e zhvillimit të tenderit.
Vërtet, fondi limit, lloji i procedurës së prokurimit, burimi i financimit, data e zhvillimit të tenderit janë shënuar në njoftimet e mëparshme (jo vetëm në buletinin nr. 17, datë 4 maj 2015; nr. 13 datë 7 prill 2015; nr. 12 datë 30 mars 2015 me tri data tenderi), por këto të dhëna i kërkon formulari të përsëriten. Në të njëjtën mënyrë është vepruar dhe me formularin e njoftimit të fituesit për tenderin e auditimit të pasqyrave financiare 2014 (shih po buletinin nr. 20).
Këtë praktikë që nuk e respektojnë nëpunësit e APD-së, demek – qytetarë të Durrësit – e zbatojnë të tjerë nëpunës qytetarë të enteve publike të Durrësit dhe qyteteve të tjera, deri dhe të njësive të qeverisjes vendore në zona rurale – fushore-kodrinore-rurale – nga më të “humburat” e Shqipërisë (shih krahasimin në krye).
Natyrisht, përveç zyrtarëve të APD-së, përgjegjësi ka dhe APP-ja, ent në varësi të Kryeministrit Edi Rama, që pranon të publikojë të tilla njoftime të cunguara.
/Thanas Mustaqi, Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/