25 maj 2015 – Ndodhi në 2009-ën, u përsërit në 2013-ën dhe sërish i njëjti ritual u pa edhe të dielën, duke njollosur organizatorët për masat e sigurisë në French Open, për më tepër që eventi zhvillohet në një qytet ku nuk janë shëruar ende plagët nga sulmet terroriste ndaj revistës Charlie Hebdo.
Në Roland Garros, Roger Federer, një nga yjet më të mëdhenj të botës së sportit, ishte shënjestra e një tifozi të ri e të pafajshëm, i cili donte të shkrepte thjesht një selfie. Tenisti legjendar jo vetëm që e shpërfilli, por shpërtheu më pas në kritika të ashpra ndaj organizatorëve, duke u kujtuar se në të tilla raste mund të ndodhë edhe më e keqja. Dukej vërtet i shokuar zvicerani kur pa tifozin që kapërceu gardhin e sigurisë dhe arriti pa problem tek ai. Organizatorët kërkuan menjëherë ndjesë, edhe pse nuk u ka ardhur mirë kur dëgjuan fjalët plot mllef nga Federer.
“Sigurisht që ai nuk është ndjerë mirë. Ky nuk është fundi i botës, edhe pse ky episod është i turpshëm për Roland Garros. Ajo është ndodhi tregon se diçka është bërë gabim dhe duhet të marrim masa që mos të përsëritet”, u justifikua drejtori i turneut Gilbert Ysern, që me sa duket nuk i ka pritur aspak mirë fjalët e Roger Federer.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/