25 maj 2015 – Arjan Pisha është futbollisti më i vjetër i kampionatit të sapopërfunduar, pasi qendërmbrojtësi i Elbasanit është aktivizuar në moshën 38-vjeçare.
Ish-mbrojtësi i Dinamos dhe Tiranës edhe pse u dënua nga komisioni i etikës, ka vendosur rekordin përsa i përket lojtarit më të madh në moshë këtë sezon, duke lënë pas portierin e Skënderbeut Orges Shehi. Megjithatë gardiani i 5 herë kampionëve radhazi mban rekordin përsa i përket ndeshjeve dhe minutave të luajtura këtë sezon. Numri një i portës korcare është i vetmi që ka luajtur të gjitha ndeshjet këtë sezon duke regjistruar rreth 3170 minuta lojë, pa llogaritur shtesat e të gjitha takimeve. Janë të pakët futbollistët që kanë luajtur mbi 3000 minuta këtë kampionat. I dyti në këtë renditje është Alsid Tafili i Vllaznisë me 3095 minuta, i ndjekur nga dyshja e Kukësit Pero Pejic dhe Rrahman Hallaci që kanë luajtur respektivisht nga 3075 dhe 3023 minuta.
Futbollisti më i ri i aktivizuar në këtë kampionat është Arbri Beqaj i Flamurtarit që ka debutuar në moshën 16-vjeçare e 6 muaj, në përballjen me Partizanin. Golashënuesi më i ri në këtë kampionat është Eraldo Cinari i Vllaznisë që ka shënuar pa mbushur 18 vjeç e 5 muaj. Ndërkohë skuadrat të cilat kanë aktivizuar më shumë futbollsitë të rinj janë Elbasani, Teuta dhe Vllaznia, që kanë përdorur futbollsitë të akademive.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/