23 maj 2015 – Java fundit e kampionatit nuk ndryshoi asgjë në renditje dhe klasifikimi përfundimtar mbeti i pandryshuar pas 90 minutave të fundit. Mbyllja e sezonit sjell kohën e bilanceve dhe në një kampionat të luftuar deri në fund nuk është e lehtë të gjykosh nëse verdiktet e fushës janë të drejta ose jo. Në fillim të sezonit të gjitha skuadrat, drejtuesit, trajnerët dhe lojtarët ishin në unison se ekipi për t’u mundur ishte Skënderbeu, që me shumë ulje-ngritje siguroi titullin e pestë radhazi kampion. Në garën për të rrëzuar korçarët nga froni ishin 4 skuadra të tjera, Kukësi, Partizani, Tirana dhe Flamurtari.
Pavarësisht investimeve të shumta, objektivi nuk u arrit me Kukësin që u konfirmua për të tretin sezon radhazi nënkampion i vendit. Partizani kishte vendosur si objektiv pjesëmarjen në kupat e Europës dhe diçka të tillë e siguroi ndaj ky sezon mund të konsiderohet i suksesshëm për 15 herë kampionët. Nga pretendimet për të rikthyer titullin në shtëpi, Tirana përfundoi tashmë në mëshirën e Kukësit që duhet të fitojë finalen e kupës së Shqipërisë ndaj Laçit për të siguruar pjesëmarrjen në Europa League. Dështimi më i madh i këtij sezoni mund të quhet Flamurtari, jo vetëm për renditjen, pasi në një kampionat me 5 apo 6 skuadra pretendente, dikush do të përfundojë në vendin e 6, por për menaxhimin e sezonit. Milionat e hedhura nuk i bënë punë kuqezinjve për të përmirësuar imazhin e skuadrës që një vit më parë bëri për vete kupën e Shqipërisë. Si çdo sezon Laçi vjen pa shumë bujë për të luajtur deri në fund shanset për të qënë pjesë e europës, dhe tashmë mundësia vjen nëpërmjet kompeticionit të dytë në vend, kupës së Shqipërisë.Vllaznia bëri detyrën dhe siguroi shumë shpejt mbijetesën, duke lënë në garë Elbasanin, Apoloninë dhe Teutën.
Në fund triumfoi eksperienca e Djemve të Detit që në ndeshjen deçizive ndaj Fierakëve triumfuan duke siguruar mbijetesën një javë përpara fundit. Ashtu siç pritej dy skuadrat që u ngjitën në mes më të mirëve duhet të duelojnë një kategori më poshtë për të tentuar sërish rikthimin në elitë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/