22 maj 2015 – Pas Michel van Praag, kryetar i Federatës së Futbollit të Holandës i cili u tërhoq nga kandidatura e tij për të parin e FIFA-s, të njëjtën gjë e ka bërë edhe Luis Figo, duke lënë Princin Ali të vetmin rival për Sepp Blatter-in në zgjedhjet presidenciale të 29 majit në Zurich.
Ish-mesfushori është shprehur se është bërë dëshmitar i hipokrizive të disa prej krerëve të federatave, të cilët kanë ndryshuar mendime brenda natës. Ai gjithashtu ka thënë se nuk është lejuar t’u drejtohet disa federatave tjera, ndërsa nuk është organizuar asnjë debat publik mes kandidatëve.
"Kam parë me sytë e mi presidentë federatash që një ditë i krahasojnë drejtuesit e FIFA-s me djallin dhe ditën tjetër i krahasojnë të njëjtët njerëz me Jezus Krishtin. Kandidatët janë penguar që t’u drejtohen federatave në kongrese, ndërkohë që njëri nga kandidatët gjithmonë ka pasur mundësinë të mbajë fjalime. Gjatë kësaj kohe nuk ka patur qoftë edhe një debat të vetëm publik, ku të dëgjohen propozimet e secilit kandidat", thuhet në deklaratën Figo-s.Sepp Blatter është në krye të FIFA-s prej vitit 1998 dhe Figo ka thënë se FIFA funksionon sipas një sistemi diktatorial.
"Në Zurich nuk do të ketë zgjedhje të ndershme. Unë refuzoj të hyjë në një proces që është i destinuar të shkojë në favor të një njeriu. Në FIFA nuk ka demokraci, disa që donin të flsinin, u mbyllej goja. Kjo organizatë është nën një diktaturë", shkruan Figo.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/