21 maj 2015 – Erzeni i Shijakut feston, Tomori i Beratit nuk arrin të qëndrojë në Kategorinë e Parë. Në ndeshjen play out të luajtur në “Qemal Stafa” mes dy skuadrave, ishin djemtë e drejtuar nga Orman Vora ata që arritën të shënonin një gol për ta mbyllur këtë sfidë me vetëm një rrjetë, e cila i jep suksesin Erzenit që rikthehet kështu në Kategorinë e Parë pas disa viteve mungesë.

Ishte Pasha ai që zhbllokoi sfidën 4 minuta nga fundi duke ngrirë skuadrën beratase. Lojtari i Erzenit u gjend i vetëm në zonë dhe me një goditje të shpejtë arriti të kalonte Vashakun. Kjo sfidë nuk kaloi e qetë dhe pa episode të dhunshme pasi tifozët e ekipit të Erzenit hodhën sende të forta në fushë, por pas ndërhyrjes së forcave të rendit situata u qetësua dhe ndeshja rifilloi sërish. Dhuna verbale e dy tifozerive vazhdoi pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa në pankina situata ishte gjithashtu shumë e tensionuar. Gjatë pjesës së dytë, trajneri i Tomorit, Mile dhe ndihmësi i tij e ndoqën ndeshjen nga tribuna e “Qemal Stafës” pasi u ndëshkuan me karton të kuq. Rrëzimi i Tomorit në Kategorinë e Dytë shënon një nga pikat më të ulëta të futbollit beratas gjatë viteve të fundit, ndërsa Erzeni e prek Kategorinë e Parë pas 7 viteve mungesë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/