20 maj 2015 – Kush investon mbi 1 milion euro në bujqësi me projekte serioze dhe punëson mbi 30 punonjës do të ketë zero taksën vendore për tre vjet. Ky ka qenë zotimi i radhës që ka marrë kryebashkiaku Vangjush Dako gjatë një vizite që ai ka zhvilluar në një fermë të rritjes e mbarështimit të lopëve në zonën e Manzës. 

Dako u ka bërë thirrje sipërmarrësve të kthejnë vëmendjen dhe të investojnë në bujqësi, pasi në sipërmarrje të tilla mund t'i vjelin shpejt frytet e investimit, duke u bërë gjithashtu, nismëtarët dhe nxitësit e një zhvillimi të shpejtë të bujqësisë. 

Po kështu, në një takim me fermerët në një nga fermat e zonës së Sukthit, kreu i bashkisë u angazhua për të vënë në funksion rezervuarin e Tarinit, duke siguruar një fond prej 10 milionë lekësh në mënyrë që të marrë zgjidhje problemi i vaditjes së këtyre tokave bujqësore.

Në sajë të punës që po bëhet nga ana e qeverisë, sipas Dakos në fillim të vitit të ardhshëm do të kryhet edhe regjistrimi hipotekor i tokave bujqësore, që është edhe një nga kërkesat kryesore të këtyre banorëve. Kështu, brenda periudhës janar-shkurt 2016, Dako garantoi fermerët se do të shpërndahen çertifikatat e pronësisë së tokës pas një mungese 20-vjeçare.

Së fundmi, Dako u angazhua edhe për krijimin e Inspektoratit të Arave, si një kërkesë e kahershme e fermerëve të kësaj zone.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/