19 maj 2015 – Në fillim të vitit 2016 fillojmë punën për rikonstruksionin e rrugës kryesore që përshkon zonën e Sukthit dhe lidh autostradën me bregdetin, do të hapim qendra sociale për njerëzit në nevojë dhe do të zhvillojmë bujqësinë e zonës.

Këto kanë qenë angazhimet për mandatin e tretë që ka marrë kryebashkiaku Vangjush Dako përpara banorëve të Sukthit.

Sipas kreut aktual të bashkisë, ky aks kryesor që do të fillojë të rikonstruktohet që në fillim të 2016-s, është një domosdoshmëri për zhvillimin e të gjithë zonës, duke lehtësuar jo vetëm lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve, por duke ndihmuar edhe bizneset, e duke ndikuar njëkohësisht edhe në zhvillimin e bujqësisë, pasi vetëm më një infrastrukturë moderne rrugore mund të zhvillohet bujqësia.

Gjithashtu, Dako premtoi se në këtë zonë do të hapë qendra sociale për gratë e dhunuara, për pleqtë dhe për njerëzit në nevojë, për t’u lehtësuar sadopak problemet që përjetojnë kategoritë e ndryshme të njerëzve në nevojë.

Sa i përket problemeve me ujin e pijshëm, Dako deklaroi se në sajë të investimit madhor që do të kryhet nga ndërmarrja e ujësjellësit, brenda 14 muajve do të trefishohet sasia e ujit të pijshëm që do të furnizojë Durrësin, duke zgjidhur përfundimisht këtë problem edhe në Sukth.

Ndërsa, në lidhje me regjistrimin e tokave të banorëve të kësaj zone, kreybashkiaku rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e kryeministrit Edi Rama, se deri në fund të këtij viti përfundon azhornimi i këtyre tokave, dhe në fillim të vitit tjetër fillon legalizimi i tokave bujqësore duke i dhënë zgjidhje problemit kryesor të  këtyre banorëve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/