DURRËS, 18 maj 2015 –  Një nga ikonat e poezisë në Durrës, Ruzhdi Gole ka paraqitur këto ditë para dashamirësve dhe miqve të vet dy vëllime të reja: “Vrapime mjedisi dhe gjuetie” dhe “Gjuhë fluturimi”, duke çuar në 16 numrin e librave të botuar. Gole ka tërhequr vëmendjen e poetëve të formatit sipëror të letrave shqiptare si Xhevahir Spahiu, Visar Zhiti, deri tek Arjan Leka dhe Enton Bido. Një kombinim brezash që dinë të vlerësojnë artin, pavarësisht shijeve dhe prirjeve.

Gjithçka ishte poetike në mbrëmjen letrare: në hyrje të klubit të artit dhe kulturës “Sigal” të prisnin vajza të reja me degëza ulliri, fletë ku ishin shtypur poezi të Goles dhe një bonbone mirëseardhjeje “plot MIRADIE”. Pasditja në pragun e fundjavës ishte e këndshme, duke kështu thyer monotoninë e jetës. Ruzhdiu u lexonte të pranishmeve poezi. Njerëzit fluturonin me të në një botë tjetër. Dhe të gjithë i ishin mirënjohës.

Info

Ruzhdi Gole lindi më 1952 në qytetin e Vlorës në një familje të thjeshtë qytetare.

Ciklin e ulët dhe të mesëm i kreu në qytetin e Vlorës dhe më pas studimet e larta në qytetin e Tiranës, ku u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe (1970-1974). Pas diplomimit për tetë vjet rresht punon mësues në qytetin e Mirditës. Jeton në qytetin e Durrësit.

Ka botuar këta libra me poezi: Maji i zambakëve  (1976), Emri yt  (1984), Vonoj të thinjem  (1996), Me zjarr fërkoj duart  (1988), Kërcimtar pa kurm  (2000), Njerk i askujt  (2001), Pak terr dhe etje  (2003), Mërgoj hijet  (2005), Vetmia në gjeth  (2007), Dihatje në livadhin e mbrëmjes  (2009), Bir i vogël ajri  (2011), Kureshtja për t’u rritur  (2011), Vertebrat e shiut  (2012), Vrapime mjedisi dhe gjuetie  (2015), Gjuhë fluturimi  (2015).

 

/red. kult. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/