16 maj 2015 – Mesazhi ‘Durrësi qyteti i 1000 palmave’ është simbolika e punës së kryebashkiakut Vangjush Dako dhe bashkisë së Durrësit për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytet, por edhe për zbukurimin e tij me këto pemë dekorative. Kështu, në kuadër të këtij mesazhi, Dako sot ka mbjellë në mënyrë simbolike në lagjen Nr.1, edhe palmën e 1000-të të qytetit.

Palmat në Durrës sipas Dakos janë një traditë që daton që prej viteve ’70, dhe duke theksuar këtë fakt, Dako u tha kundërshtarëve të tij se mbjellja e palmave nuk është shpikje e tij, por thjesht vazhdim i traditës së mbjelljes të këtyre pemëve që i shkon bregdetit tonë.

Gjithashtu, në këtë takim të sotëm ku përveç qytetarëve të lagjes 1, i pranishëm ishte dhe deputeti socialist i Durrësit Blendi Klosi, kryebashkiaku nuk la pa iu përgjigjur akuzave të rivalëve në lidhje me çmimet e palmave.

Dako tha që palmat nuk janë të shtrenjta apo të kenë kushtuar nga 5 mijë euro, por vetëm 31 mijë lekë ose 220 euro. Qëllimi i kundërshtarëve që kanë nxjerrë këto fjalë, sipas Dakos bëhet thjesht për dezinformimin e opinionit.

“Po kështu na akuzojnë se nuk kemi përfituar projekte nga Bashkimi Evropian nga IPA, dhe unë po ju përgjigjem se përpara dy vitesh kemi përfituar tre projekte nga IPA vetëm për qytetin e Durrësit dhe këto projekte janë ndriçimi i mureve të kalasë, sinjalistika turistike e të gjitha siteve arkeologjike në Durrës e po kështu kemi përfituar projekt edhe për sinjalistikën rrugore të hyrjes së Durrësit”, tha ndër të tjera kreu i bashkisë.

Megjithëse iu përgjigj disa prej akuzave që kanë dalë për të, Dako theksoi më tej se nuk do të merret me akuzat e përvërteta dhe fjalët e kundërshtarëve, pasi ai merret me punë dhe premtoi se do të bëjë projekte madhore që të rezistojnë në kohë dhe do të japë perspektivën e Durrësit në vitin 2030. Kjo sipas Dakos është diferenca e tij me kundërshtarin, vizoni i qartë për të ardhmen e Durrësit.  

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/