DURRËS, 14 maj 2015 – Nisur nga interesimi i disa institucioneve publike dhe shoqërive private në Durrës, që kanë lidhje me hapësirën detare, “Dyrrah”-u po boton të plotë Vendimin e Qeverisë së 13 majit 2015 për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 954, datë 30.9.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin, strukturën, funksionimin e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) dhe bashkëveprimin me institucionet shtetërore, që kanë interesa në det”, të ndryshuar. Selia e QNOD-it është në Plepa të Durrësit.
Vendim për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 954, datë 30.9.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin, strukturën, funksionimin e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) dhe bashkëveprimin me institucionet shtetërore, që kanë interesa në det”, të ndryshuar
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 32, të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të neneve 3, pika 3, e 4/1, pika 3, të ligjit nr. 8875, datë 4.4.2002, “Për Rojën Bregdetare Shqiptare”, të ndryshuar, dhe të neneve 6, 29 e 41, të ligjit nr. 9861, datë 24.1.2008, “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr. 954, datë 30.9.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen disa ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun III bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. QNOD-ja ka në përbërje strukturore personel nga të gjitha institucionet, që kanë kompetenca dhe kryejnë detyra në bregdet e në hapësirën detare sipas nenit 32, të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, siç janë:
– Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës (prani 24-orëshe të administratës detare);
– Ministria e Punëve të Brendshme (prani 24-orësh të Policisë së Kufirit dhe Migracionit);
– Ministria e Mbrojtjes (prani 24-orësh të Rojës Bregdetare);
– Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (prani 24-orësh të Drejtorisë së Shërbimeve Peshkore dhe Akuakulturës);
– Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (kapacitete bashkërenduese sipas nevojës);
– Ministria e Financave (kapacitete bashkërenduese sipas nevojës);
– Ministria e Mjedisit (kapacitete bashkërenduese sipas nevojës).”.
b) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Përbërja e strukturës së QNOD-së është, si më poshtë vijon:
a) Drejtori administrativ i QNOD-së;
b) Administratorët e sallës operacionale;
c) Koordinatorët e ministrive të linjës;
ç) Personeli i mbështetjes administrative dhe teknike;
d) Oficerët e shërbimit/oficerët civilë të turnit të ministrive të linjës.”.
c) Në pikën 7 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
i. Pas paragrafit të dytë shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Koordinatorët institucionalë me aktivitet të përditshëm në QNOD janë koordinatorët e:
– Ministrisë së Mbrojtjes;
– Ministrisë së Punëve të Brendshme;
– Ministrisë së Financave;
– Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave;
– Ministrisë së Mjedisit;
– Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.”.
ii. Paragrafi i tretë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Oficerët e shërbimit janë oficerët përgjegjës për personelin, që shërbejnë në sallën operacionale të QNOD-së. Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave do të kenë oficerë shërbimi 24 orë në sallën operacionale të QNOD-së. Secili oficer shërbimi është përgjegjës për drejtimin e operacioneve, që janë kompetencë e ministrisë që përfaqëson. Për sigurimin e kontrollit civil mbi të gjitha operacionet policore, oficeri i shërbimit, i caktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, do të marrë përsipër dhe do të ekzekutojë operacionet që lidhen me detyrat e policisë. Përgjegjësitë dhe bashkërendimi i oficerëve të shërbimit përshkruhen në procedurat operacionale të miratuara.”.
Pika 2, e kreut IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. QNOD-ja drejton dhe bashkërendon operacionet detare të institucioneve të mëposhtme:
a) Ministrisë së Punëve të Brendshme:
i. Operacionet detare për kontrollin e kufirit dhe të luftës kundër trafikut të paligjshëm;
ii. Operacionet detare të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar;
iii. Operacionet detare për detyra të tjera policore.
b) Ministrisë së Mbrojtjes:
i. Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe dhënies së ndihmës në det;
ii. Operacionet detare për kontrollin e legjislacionit për sigurinë hidrolundrimore;
iii. Me kërkesë të strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre doganore siguron mbështetje për misionet e zbatimit të ligjit;
iv. Kur për veprimet e ndërmarra sipas nënndarjes “ii” më sipër, kërkohen atributet e policisë gjyqësore, vetëm personeli i Rojës Bregdetare apo i Forcës Detare, i cili gëzon këto atribute dhe ka trajnimin e përshtatshëm, mund t’i kryejë këto veprime. Trajnimi i nevojshëm përcaktohet me urdhër të përbashkët të ministrive të përfshira dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
c) Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës:
i. Operacionet detare për kontrollin e legjislacionit për trafikun detar;
ii. Hetimin e incidenteve detare.
ç) Ministrisë së Financave, operacionet detare për kontrollin e legjislacionit fiskal dhe doganor.
d) Ministrisë së Mjedisit, operacionet për parandalimin dhe mbrojtjen e mjedisit detar nga ndotja.
dh) Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes:
i. Operacionet në mbështetje të sporteve ujore dhe nënujore;
ii. Operacionet në mbështetje të turizmit detar dhe bregdetar.
e) Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, operacionet detare për kontrollin e zbatimit të legjislacionit për peshkimin.”.
Pika 1, e kreut VI, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.”.
4. Shtojca nr. 1 ndryshohet dhe zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
/red. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





