14 maj 2015 – Gianni de Biasi rrëfen sekretin e transformimit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Në një intervistë për portalin “Allfootball.it”, trajneri i përfaqësueses tregon recetën e tij të suksesit. Në artikull evidentohet se De Biasi është tekniku që po rishkruan historinë e futbollit shqiptar dhe falë tij, Kombëtarja Kuq e Zi është një ndër zbulimet e panoramës futbollistike europiane, në garë për të siguruar një vend në Euro 2016 dhe mbetet e pamposhtur në një grup të vështirë me Portugalinë, Danimarkën e Serbinë si skuadrat më të kuotuara. Pyetjes se si ia ka dalë që Shqipëria, e cila disa vjet më parë konsiderohej si një ndër Hirushet e Europës, të kthehet në një skuadër që meriton respektin maksimal, De Biasi i përgjigjet në këtë mënyrë.

“Nuk ka sekrete të veçanta. Motoja jonë është organizimi. Kujdesemi për detajet në fazën kur nuk zotërojmë topin. Jemi kompaktë dhe të bashkuar, repartet lëvizin sipas logjikave precize dhe të parashikuara. Ia dalim në këtë mënyrë të kemi një fazë mbrojtëse efikase dhe reduktojmë në maksimum rreziqet. Skuadra ka një identitet preciz. Të gjithë ata që ndjekin Kombëtaren e kanë vënë re padyshim larminë e skemave në goditjet standarde, diçka mbi të cilën punohet shumë, siç thekson vetë De Biasi. “Edhe në fazën e zotërimit të topit jemi të mirëorganizuar dhe kujdesemi shumë për detajet. Në topat inaktivë për shembull, studiojmë skema të ndryshme në varësi të kundërshtarit. Në kualifikuese kemi realizuar tre gola nga goditjet nga vendi, një rezultat i mirë ky”. Kur bëhet fjalë për një skuadër si Shqipëria që nuk ka superyje apo futbollistë që vlejnë dhjetra miliona, një aspekt tejet i rëndësishëm është ai psikologjik. “Punojmë shumë në këndvështrimin psikologjik. Kemi kërkuar t’u injektojmë djemve kurajo. Ju kemi bërë të kuptojnë se ne nuk jemi as një Hirushe dhe as një viktimë për t’u sakrifikuar. Faktet po e provojnë dicka të tillë”. De Biasi veç të tjerash bën të ditur se po punon për një projekt të përcaktuar qartë dhe që mbi të gjitha është afatgjatë, duke dhënë sinjale për një të ardhme Kuq e Zi edhe pas kampionatit Europian “Francë 2016″.

“I kemi vënë vetes objektiva, mbi bazën e të cilëve kemi vendosur edhe kohët dhe në funksion të tyre kemi filluar punën. Është bërë për shembull, një punë e shkëlqyer për zbulimin e lojtarëve. Kemi kërkuar me kujdes lojtarët duke i ndjekur në kampionatet kryesorë të Europës, dhe pastaj i kemi zgjedhur në bazë të aftësive të tyre, pa asnjë ndikim nga jashtë, pasi punojmë për perspektivën. Grupi ka ndryshuar shumë në krahasim me trajnerët e mëparshëm, përbëhen nga elementë të rinj në të paktën 3/4. Nga garda e vjetër nuk ka mbetur pothuajse asnjë dhe me këtë grup synojmë të përballojmë të paktën dy cikle në kualifikueset e Europianit. E kemi ndërtuar enkas kështu, për të punuar për të tashmen duke menduar për të ardhmen”.

Në artikull jepen edhe dy nga skemat e përgatitura nga De Biasi dhe Tramezani ku shpjegohet si punohet për të përmirësuar sulmin dhe mbrojtjen. Në të parën shpjegohet rreshtimi i dy skuadrave në bazë të sistemit që kërkohet të adaptohet me njërën që vetëm sulmon dhe duhet të shënojë në dy porta, dhe tjetrën që ka për detyrë vetëm të mbrohet, e cila mund të aplikohet në bazë të rregullave të ndryshme, me jo më shumë se dy prekje për lojtar, topin që luhet vetëm dherazi, vetëm me krosa apo vetëm në linjë vertikale. Në skemën e dytë, dy skuadrat shfrytëzojnë fushën që ndahet horizontalisht dhe vertikalisht në katër zona dhe kur njëri nga formacionet humbet topin, të gjithë sulmuesit duhet të qëndrojnë në zonën ku ndodhen deri sa të rikuperohet topi. Detaje vërtet interesante që konfirmojnë se në rritjen e nivelit të Kombëtares asgjë nuk i është lënë rastësisë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/