14 maj 2015 – Java e 35-të e Kategorisë Superiore mund të zgjidhë dilemat më të mëdha të këtij sezoni. Në rast se gara për zonën europiane do të jetë e hapur deri në sekondat e fundit të kampionatit, çështja e titullit dhe mbijetesës mund të mbyllet 90 minuta përpara fundit të sezonit.
Kështu Skënderbeu mund të festojë matematikisht titullin në rast të një triumfi me Flamurtarin, duke parë se diferenca me Kukësin e vendit të dytë është 4 pikë. Për të siguruar trofeun e 5-të radhazi kampion, korçarët duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi përpara publikut, për më tepër që kanë përballë një rival pa objektiva.
Një sukses i kryesuesve në këtë 90 minutësh do të mbyllte zyrtarisht çështjen titull dhe do të zhvendosë vëmendjen te gara për zonën europiane.
Këtë javë me një fitore të Teutës ndaj Apolonisë mund të mbyllet çështja edhe përsa i përket mbijetesës. Djemtë e Detit kanë parë që diferenca prej 7 pikësh disa javë më parë më ndjekësit të jetë reduktuar në 1 pikë. Në “Niko Dovana” luhet finalja e sezonit si për Teutën ashtu dhe për Apoloninë që qëndrimin mes më të mirëve e shohin nëpërmjet këtij dueli direkt. Vetëm suksesi i vendasve mund të mbyllë matematikisht cdo gjë, pasi diferenca midis skuadrave një javë përpara fundit do të shkonte në 4 pikë. Çdo rezultat tjetër lë të hapur garën edhe për 90 minutëshin e fundit sezonal, teksa të dyja skuadrat do të përballen me kundërshtarë që synojnë zonën europiane.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/