14 maj 2015 – Fati i Teutës dhe Apolonisë do të vendoset në përballjen direkte, e cila do të zhvillohet këtë fundjavë në "Niko Dovana" të Durrësit. Durrsakët vazhdojnë përgatitjet për këtë përballje. Krahas dy humbjeva radhazi, në kampin durrsak mbizotëron optimizmi dhe të gjithë besojnë te fitorja me Apoloninë, përballje që pritet të vendosë fatin e secilës prej këtyre dy skuadrave.
Kapiteni Rizvani shprehet i sigurt duke deklaruar se Apoloninë e pret humbje e padiskutueshme në "Niko Dovana".
"Nuk ka nevojë të impenjohemi për këtë ndeshje, sepse të gjithë jemi koshientë që kjo është ndeshja e sezonit për ne, e cila njëkohësisht vendos fatin e skuadrës sonë. Ne po përgatitemi intesivisht për këtë ndeshje dhe përveç respektit për kundërshtarin jemi të sigurtë te fitorja. Apoloninë në "Niko Dovana " e pret vetëm humbja, paçka se edhe me barazimin fierakët do të jenë të kënaqur. Ne nuk e diskutojmë këtë përballje dhe gjak do derdhim në fushë nëse do të jetë nevoja dhe fitoren do ta marim me çdo kusht. Kemi pasur ecuri shumë negative përgjatë këtij sezoni dhe ka ardhur momenti të rregullojmë në një farë mënyre gabimet tona. Është një detyrim që duhet të ndiejë çdo pjestar i kësaj skuadre", u shpreh fillimisht portieri i Teutës.
Duke vijuar më tej, Rizvani kërkoi mbështetjen e tifozerisë durrsake në këtë përballje. "Jemi të ndërgjegjshëm që nuk ua kemi shperblyer si duhet tifozëve, por në këtë përballje na duhet më shumë se kurrë mbështetja e tyre në shkallët e stadiumit. E sigurojmë tifozerinë se nuk do të zhgënjehet, sepse ne do të fitojmë bindshëm ndaj Apolonisë, madje me një lojë shumë, shumë të mirë. Duam vetëm mbështetjen e publikut dhe ne do të fluturojmë në fushë. edhe me Kukësin treguam se jemi një skuadër që nuk mposhtet kollaj, edhe pse kundërshtari fitoi me ndihmën e gjyqtarëve, të cilët vetëm sa nuk i shënuan me këmbën e tyre golat", përfundoi Rizvani.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/