14 maj 2015 – Bashkia e Durrësit tashmë po i kushton vëmendje edhe shkollave të qytetit ku janë krijuar terrene sportive në ambientet përreth tyre.
Me një investim prej rreth 19 milionë lekësh janë krijuar fusha sportive në katër shkolla të Durrësit: “Jan Kukuzeli”, “Marie Kaçulini”, “14 Nëntori” dhe “Jusuf Puka”, si dhe janë rikualifikuar të gjitha hapësirat e tjera rreth këtyre shkollave duke krijuar ambiente të jashtme sipas standardeve moderne për këta nxënës.
Ndërkohë që me një fond tjetër në bashkëpunim me Bankën Botërore prej rreth 15 milionë lekësh janë krijuar ambiente sportive edhe në 5 shkolla të tjera “Naim Frashëri”, “Gjergj Kastrioti”, “Eftali Koçi”, “Isuf Ferra” dhe shkolla e re në zonën e ish-Kënetës.
Për të përurar përfundimin e këtyre punimeve, sot kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka zgjedhur shkollën e muzikës ‘Jan Kukuzeli’ Sipas Dakos ky investim ka pasur impakt pozitiv për arsimin në qytet dhe jo vetëm. Fushat sportive mund të shfrytëzohen edhe nga komuniteti dhe kjo iniciativë do të aplikohet më pas në të gjitha të tjerat.
“Këtë vit investuam në katër shkolla të qytetit dhe në këto investime kemi patur vizionin që terrenet sportive të mos përdoren vetëm nga nxënësit e shkollave, por edhe nga rinia e zonës pas orarit mësimor. Pra, këto terrene sportive në oraret e pasdites janë të hapura për rininë dhe të gjithë qytetarët për të kaluar kohën e lirë në mënyrë të shëndetshme në terrene sportive cilësore”, ka deklaruar Dako.
Më tej, kreu i bashkisë premton se me këtë vizion do të vazhdojë edhe në katër vitet e tjera të qeverisjes në rast se ai fiton zgjedhjet. Fokusi i tij do të jetë mirëmbajtja e shkollave dhe krijimi i terreneve sportive jo vetëm në shkollat e Durrësit, por edhe në ato të Ishmit, Manzës, Rrashbullit, Katundit të Ri dhe Sukthit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/