DURRËS, 13 maj 2015 –  Për gazin metan të Bishtit të Pallës “është bërë sabotim i hapët”, kështu shkruan në “Ditarin” e vet diktatori Enver Hoxha më 12 shtator 1975. Udhëheqësi komunist është marrë sërish me gazin e Bisht Pallës më 22 janar 1976 dhe më 5 shkurt 1976.

SERAT

Zbulimi i një pusi gazi në det në zonën e Bish-Pallës, nxiti ndërtimin në vitet 1970-1980 të serave me ngrohje në afërsi të ish-“Kombinatit të Gomës” në Shkozet të Durrësit. Por, për mungesë fondesh të mëdha, u ndërpre puna për gazin detar.

Enver Hoxha ishte i informuar më 1959 se gjeologët po kërkonin për ujë të ëmbël në det, por u doli gaz. Një gjeolog sovjetik dhe një shqiptar kanë bërë kërkime hidrogjeologjike në Bishtin e Pallës, ku mendohej se në fund të detit dilnin burime ujore, por që në të vërtetë ishin dalje gazi. Përfundimet e vrojtimeve ata i kanë përshkruar në studimin “Përgjithësim gjeolog-hidrogjeologjik mbi rezultatet e vrojtimit të daljes së gazit nga fund-deti afër gadishullit të Bishtit të Pallës”.

STUDIME E RELACIONE

Deri në mesin e viteve 1980 janë bërë me dhjetëra studime në qindra faqe (“Relacion mbështetës për vendosjen e shpimit të thellë në rajonin e Durrësit” 1961; “Relacion mbi rezultatet gjeologjike të pusit struktural Bisht Palla Nr. 1 viti 1963”; “Relacion mbi rezultatet e shpimeve të kryera në zonën e Durrësit gjatë viteve 1963-1965 dhe rekomandimet për shpimin e pusit Durrës-3”, 1965; “Relacion mbi nevojën e shpimit në cekëtinën detare të rajonit të Durrës-Bisht Pallë për kontrollimin e gazmbajtjes së depozitimeve mesomiocenike”, 1969; “Mbi nevojën e shpimit të disa puseve të thella e mesatare në strukturën e Divjakës dhe të Durrës-Bisht Pallë”, 1970; “Studim mbi ndërtimin gjeologjik të Kepit të Pallës”, 1971; “Relacion mbi vendosjen e puseve të cekët të kërkimit në strukturën e Durrës-Bishti i Pallës” 1971; “Ndërtimi gjeologjik dhe perspektiva gazmbajtëse e rajonit Durrës-Bishti i Pallës”, 1975; “Ndërtimi gjeologjik dhe perspektiva naftë-gazmbajtëse të rajonit Durrës-Bishti i Pallës”, 1975; “Ndërtimi gjeologjik dhe perspektiva naftë-gazmbajtëse të rajonit Durrës”, 1976;; “Relacion mbi vazhdimin e kërkimit të mëtejshëm të gazit në krahun lindor të strukturës Durrës-Bishti i Pallës”  1976; “Mbi nevojën e vazhdimit të detyrës të pusit Du-8” 1976; “Përgjithësimi gjeologo-gjeofizik i rajonit Durrës (zona ish-këneta e Durrësit deri në Manëz)” 1978; “Përgjithësimi gjeolog-gjeofizik i rajonit të Durrësit (Currila-Porto-Romano) lidhur me gaz-naftë-mbajtjen”,1980). Në Durrës u krijua ndërmarrja gjeofizike për studimet në det, e cila ka ekzistuar gjatë viteve 1982-1984

Dokument/ Deklarimet e Enver Hoxhës

12 shtator 1975 “Ditar”

Problemi i fundit është gazi metan i Bishtit të Pallës. Për të është bërë sabotim i hapët. Sabotatorët jo vetëm që nuk shpuan në kraterin e madh në det, por edhe dy puse që shpuan në tokë, dhanë gaz fontanë dhe i mbytën me sasi të mëdha argjile e bariti, duke gënjyer e duke na thënë: “S’ka gaz”. Gaz atje ka dhe ne, më parë se të venim gjetkë, më shpejt duhej të kishim zbuluar dhe shfrytëzuar gazin e Bishtit të Pallës dhe pastaj me radhë në vende të tjera, ku kemi dalje natyrale të gazit…

Burimi i gazit të Durrësit duhet të zbulohet dhe të vihet në shfrytëzim. Të shpohet për gaz edhe në rajone të tjera, ku ka të dhëna të tilla. Gazi duhet të konsiderohet naftë, një pasuri e madhe.

22 janar 1976, nga një bisedë

Unë dua të di, fjala vjen, ç’u bë me pusin e gazit që pësoi avari në Durrës. Hakiu [Toska, në atë kohë anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar KQ të PPSH], menjëherë pas takimit, u informua dhe na raportoi të nesërmen për situatën, se gjer ku kishte arritur puna para avarisë dhe ç’rezultate janë arritur pas eliminimit të saj. Për këtë sektor sidomos ne bëjmë shumë kujdes, pse të gjithë armiqtë na kanë sabotuar haptazi në naftë dhe asnjëri nuk na vinte në dijeni. Kështu është vepruar edhe në fushën gazmbajtëse të Durrësit, ku ka dalë gaz që ndoshta si sasi mund të jetë më e madhe nga ajo e Divjakës. Ky është një sukses pas sabotimit, por duhet të zbulojmë të tjera fusha, se na kanë sabotuar rëndë në këtë drejtim.

5 shkurt 1976, nga diskutimi në organizatën-bazë të Partisë   

Ju e keni dëgjuar të gjithë se në bregdetin tonë të Adriatikut ndodhet vendi që quhet Bishti i Pallës. Në këtë pjesë të bregdetit armiqtë e brendshëm dhe agjentët e huaj na kanë sabotuar nxjerrjen e naftës. Kjo flet qartë për domosdoshmërinë e rritjes së vigjilencës. Dje mësova se një oficer kishte shkelur rregullat e ruajtjes së sekretit, duke marrë një person, që nuk kishte të bënte fare me punët e ushtrisë, t'i shkruar bukur, me kaligrafi, disa materiale, që përbënin sekret ushtarak. Po ç’na duhen neve shkrimet e bukura kur na dëmtohen interesat e mbrojtjes?!

 

 

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/