11 maj 2015 – Schalke 04 me një komunikatë zyrtare në faqen e saj në internet bëri me dije se ka pezulluar nga skuadra tre futbollistë mes tyre edhe ish-mesfushorin e Milanit, Kevin Prince Boateng. Së bashku me lojtarin ganez klubi gjerman ka marë masën ndëshkimore edhe për Sydney Sam dhe Marco Hoger.
E gjithë kjo vjen pas humbjes së fundit që pësoi Schalke 2-0 në transfertë ndaj Kolnit, disfatë kjo që e ndërlikon jo pak kualifikimin e bluve mbretërore në Europa League sezonin e ardhshëm. Nëse Hoger është pezulluar deri të shtunën masa ndëshkimore për Kevin Prince-Boateng dhe Sydney Sam ka një afat të pacaktuar. Të tre futbollistët janë pezulluar nga klubi me arsyen se nuk janë impenjuar ashtu siç duhet në takimin e fundit ndaj Kolnit, por edhe gjatë javës në stërvitje pasi në ndryshim nga Hoger dhe Boateng, Sam nuk luajti asnjë minutë në ndeshjen ndaj skuadrës ku bën pjesë edhe mbrojtësi i Kombëtares Kuqezi Mërgim Mavraj.
Nga pezullimi i këtyre tre futbollistëve më shumë lajm përbën dënimi i Kevin Prince Boateng i cili në 2013-n u transferua me shumë bujë nga Milani te Schalke, por futbollisti 28-vjeçar në asnjë moment nuk ka përmbushur pritshmëritë e tifozëve të skuadrës nga Gelsenkirshen.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/