8 maj 2015 – Mesfushori Ansi Nika kërkon impenjim maksimal të të gjithë skuadrës në përballjen e radhës të skuadrës së tij, e cila do të pres në shtëpi Kukësin. Kjo përballje konsiderohet "jetë a vdekje" për mesfushorin, i cili shprehet i sigurtë se skuadra e tij do të triumfojë në përballjen me veriorët. Sipas Nikës skuadra po përgatitet intesivisht për këtë përballje dhe do të jetë gati për të mposhtur Kukësin të shtunën në orën 16.00 në Niko Dovana: "Kjo ndeshje është shumë, shumë e rënbdësishme për skuadrën tonë, pasi bëhet fjalë për mbijetesë. Ndoshta ka më shumë rëndësi edhe se kur pretendohet titulli, pasi dhimbja që mund të shkaktoj fakti që nuk do të luash mes skuadrave më të mira është shumë më e madhe dhe e padurushme se atëherë kur nuk arrin të dalësh kampion. Prandaj, kërkoj impenjim maksimal nga e gjithë skuadra dhe ta fitojmë këtë ndeshje, pasi kemi vënë në diskutim të ardhmen e skuadrës me përaqitjen që kemi bërë përgjatë këtij sezoni futbollistik. Duhet të shlyejmë gabimet e bëra përgjatë sezonit dhe kjo është më e pakëta që mund të bëjmë për skuadrën. Kjo përballje për ne është për jetë a vdekje, ndaj duhet të përgatitemi për të fituar", u shpreh Nika. Duke vijuar prononcimin e tij Nika u ndal pikërisht tek përballja me Kukësin, por nuk la pa përmëndur edhe përballjen me Apoloninë. "Pavarësisht ecurisë së deritanishme të skuadrës, unë mendoj se teuta ka mundësi të fitojë ndaj çdo kundërshtari. Nuk ndihemi inferior ndaj Kukësit dhe as kemi frikë Apoloninë, por kur them që kjo ndeshje është shumë e rëndësishme kam parasysh faktin që nuk duhet ta lëmë fatin në dorë të përballjes me Apoloninë. Jo se kemi frikë, por unë mendoj se duhet t'i fitojmë të dyja këto ndeshje dhe të synojmë rezultat pozitiv edhe ndaj Tiranës në përballjen e fundit të kampionatit. Duhet ti bëjmë një mbyllje të mirë kampionatit edhe nga ana morale, prandaj këmbëngul që duhet të fitojmë ndaj Kukësit dhe Apolonisë", përfundoi mesfushori.