8 maj 2015 – Rruga “Durrësi në Shekuj” në lagjen 14 të qytetit është përuruar ditën e sotme nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako.
Ashtu si dhe rruga “Vath Truja” që u përurua dje, edhe kjo rrugë ishte problematike, që tashmë pas rikonstruksionit sipas standarteve bashkëkohore përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës së banorëve të zonës së Shkozetit.
Banorë të kësaj lagjeje i kanë shprehur Dakos falënderimet e tyre për punën e kryer në këtë rrugë. Ndërsa, nga ana e tij kreu i bashkisë tregon se rikonstruksioni i kësaj rruge tregon vëmendjen që ka Bashkia e Durrësit për të gjithë qytetarët, si ata që banojnë në qendër ashtu edhe ata që banojnë në periferi pa asnjë dallim.
“Me këtë moto dhe me këtë vizion do të vazhdojmë t’i shërbejmë të gjithë qytetarëve në territorin e ri të bashkisë së Durrësit, atyre të Ishmit, të Sukthit, Manzës, Katundit të ri, Rrashbullit ku të gjitha rrugët dhe të gjitha lagjet e tyre do të asfaltohen dhe rikonstruktohen nga Bashkia e re”, u shpreh Dako.
Rruga “Durrësi në Shekuj” është rikonstrktuar me një fond prej rreth 6.8 milionë lekësh dhe është asfaltuar një sipërfaqe prej 2388 m2 si dhe janë kryer të gjitha kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





