7 maj 2015 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ka përuruar rrugën ‘Vath Truja’ në lagjen 14 të Durrësit.
Kjo rrugë dikur problematike, tashmë është rikonstruktuar sipas të gjitha standardeve me kanalizime, shtylla ndriçimi, trotuare etj., dhe përmirëson cilësinë e jetesës së rreth 15 mijë banorëve të zonës si dhe dhjetra bizneseve që operojnë në zonën e Nishtullës në Shkozet.
Komuniteti i kësaj lagjeje ku ka edhe një numër të madh banorësh romë kanë uruar kryebashkiakun për punën e bërë deri tani dhe kanë shprehur besimin e tyre që kjo punë kaq e madhe për transformimin e qytetit do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm.
Nga ana e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se në territorin e Bashkisë së re të Durrësit do të rikonstruktohen të gjitha rrugëm lidhëse midis fshatrave.
“Në këtë zonë jeton edhe një komunitet i madh romësh, dhe ne përveç këtij aksi kryesor, kemi rikonstruktuar edhe të gjitha rrugët dytësore që shkojnë në të gjitha shtëpitë rome. Po kështu kemi ngritur në këtë zonë përpara pak vitesh edhe një qendër komunitare në shërbim të këtyre njerëzve në nevojë. Po kështu kjo rrugë ka rëndësi sepse është edhe rruga që lidh Durrësin me Shënavlashin. Ne i premtojmë të gjithë banorëve të bashkisë së re të Durrësit që do t’i rikonstruktojmë të gjitha rrugët të cilat lidhin fshatrat me njëri-tjetrin. Me anë të rikonstruksionit të kësaj rruge ne tregojmë sesi do të jetë bashkëpunimi dhe se do të kemi të bëjmë me një qytet të vetëm, me një bashki të vetme dhe se do të trajtohen në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët kudo ku ndodhen në këtë bashki”, deklaroi Dako.
Rikonstruksioni i rrugës 'Vath Truja' është realizuar me një fond prej 37.748.280 lekësh dhe janë shtruar me asfalt 7600 m2 sipërfaqe, 2500 m2 trotuare, 27 tabela sinjalistike, 40 shtylla ndriçimi etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





