7 maj 2015 – Shtimi i jashtëzakonshëm i valës së refugjatëve në Gjermani, i ka detyruar autoritetet gjermane të përgatisin me ngut qendra të reja pritjeje për to. Krahas refugjatëve nga vende në luftë si Iraku, Siria apo edhe Libia, për gjermanët po shndërrohet në problem akut vala e refugjatëve shqiptarë ( nga Shqipëria, Kosova apo Presheva), përfshirë këtu edhe romët që flasin shqip.
Qendra më e fundit e pritjes është hapur në qytetin Ellwangen në Landin e Baden-Vyrtenbergut. Kjo qendër u hap në ish-kazermat e Bundenswer-it (Ushtrisë Federale Gjermane) në fillim të muajit prill dhe sot në qendër janë strehuar 343 refugjatë.
Brenda datës 10 maj numri do të shkojë në 500 refugjatë. Kapaciteti maksimal i kësaj qendre është 1 000 refugjatë. Deri tani në qendër ka kryesisht refugjatë shqiptarë. Për grupet familjare veçanërisht ato me fëmijë të vegjël, kushtet e jetesës në qendër janë dukshëm më të mira se për refugjatët meshkuj dhe jo familjarë.
Gazetari gjerman madje e ilustron shkrimin me foton e një çifti shqiptar Gazmir dhe Ezmeralda Malajt së bashku me djalin e tyre rreth 5 vjeç. Fotoja është bërë brenda kampit të refugjatëve, në zonën ku autoritetet gjermane kanë vendosur disa lodra të thjeshta për të zbavitur fëmijët e refugjatëve. Vetëm 2 km larg kampit të refugjatëve, bashkia e qytetit ka instaluar në një park publik zonë me Wi-Fi (internet) falas, kështu që refugjatët që disponojnë smart-phone komunikojnë pa pagesë me familjarët e tyre të mbetur në Atdhe.
Artikullin gjermanisht e gjeni këtu: Polizei erhöht Präsenz in der Stadt
/Gj.Th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





