4 maj 2015 – Policia e Shtetit mbron shefin e krimeve që nxori pistoletën para protestuesve të Kukësit. Sipas njoftimit që bënë në mbrëmje për ngjarjen e paradites, ku u përfshi shefi i policisë, Albion Xhitoni, ky i fundit e ka nxjerrë armën për të parandaluar ata që donin t’ia merrnin.

“Gjatë shoqërimit të shtetasit Nderim Lushi si organizator dhe nxitës i tubimit dhe dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë, nga perosnat që ishin pjesëmarrës në këtë tubim, (të paidentifikuar ende për shkak të konfuzionit) është tentuar t’i merret arma e shërbimit Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë së Kukësit, i cili për parandalimin e këtij akti ka nxjerrë armën nga brezi dhe është shmangur nga turma.

Ndaj organizatorit Nderim Lushi është marrë masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprave penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme“ dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” parashikuar nga nenet  223 dhe 262 të Kodit Penal.

Ndërkohë në lidhje me ngjarjen, Ministri i Punëve të Brendshme  Saimir Tahiri ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga Punonjësit e Policisë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Drejtoria e Inspektimit pranë Ministrit të Brendshëm.

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”