4 maj 2015 – Të burgosurit shqiptarë dhe pakistanezë të burgut të sigurisë së lartë Koridhalos afër Athinës u përleshën me njëri-tjetrin këtë të diel më 3 maj.
Në përleshje krahas stolave, këmbëve të karrikeve u përdorën edhe sende të ndaluara sipas rregullores së burgut, si leva hekuri, kacavida, thika artizanale, brisqe rroje të modifikuara dhe një pistoletë stilolaps. Nga pakistanezët mbetën të vdekur dy të burgosur.
Bilanci paraprak i maksisherrit të së dielës krahas dy të vdekurve përfshin edhe 21 të plagosur shqiptarë dhe pakistanezë, të cilët janë mjekuar në infermierinë e burgut por edhe në spitalet e Athinës. Ndër këta të plagosur 8 janë në gjendje mjaft të rëndë. Besohet që edhe dy gardianë të regjimit të brendshëm të kenë mbetur të plagosur. Dëshmitarë okularë nga mediat greke kanë numëruar 6 ambulanca, që largoheshin me sirena të ndezura nga burgu drejt spitaleve të Athinës.
Ministria greke e Drejtësisë po i mban sekret emrat e të vrarëve dhe të plagosurve. Burgu tashmë është nën kontrollin e forcave speciale të policisë të pajisura me armatim jo vdekjeprurës. Mediat greke vërejnë që shqiptarët pa dallim feje u përleshën me pakistanezët gjatë ngrënies së darkës.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





