3 maj 2015 –Televizioni italian “Rai Due” ka bërë një reportazh të zgjeruar për jetën e italianëve në Shqipëri, për investimet italiane dhe studentët italianë që studiojnë në vendin tonë.

Në këtë reportazh përfshihet edhe intervista nga Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani. Përshkrimi nis me një vizitë në Bunk’Art, bunkerin antibërthamor që kishte ndërtuar qeveria komuniste.

Gazetarja italiane e ka pyetur Ramën nëse në Shqipëri është e nevojshme të bëhet çdo gjë, ndërsa ai është shprehur se Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE-së dhe do të bëhet si një "Itali e vogël".

“Ne bëjmë pjesë në familjen e Evropës Jugore. Nuk mund të ëndërrojmë të bëhemi si Gjermania dhe Zvicra sepse besoj se do të ishte e mërzitshme, por po ta bëjmë Shqipërinë një Itali të vogël, do të ishte shumë bukur, ndoshta me më pak burokraci dhe me më shumë iniciativa”, ka thënë Rama.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/