3 maj 2015 – Për të 31-tën herë kampion. Juventusi i këtij sezoni funksionoi si një makineri perfekte dhe titulli i 4-t kampion radhazi në Itali rezultoi thjesht një formalitet për skuadrën bardhezi. As ndryshimi në stol me Antonio Conten që u largua pak javë përpara fillimit të sezonit nuk solli asnjë efekt negativ në shtëpinë bardhezi me Juventusin që i dominoi edhe njëherë tjetër të gjithë rivalët.

Një Scudetto e fituar me një lehtësi të jashtëzakonshme kjo falë edhe Massimiliano Allegrit, trajnerit që u bashkua me torinezët në fillim të sezonit dhe solli në skuadër frymën e duhur për të fituar sërish.

79 pikë në 34 javë dhe pavarësisht se kanë mbetur edhe 4 ndeshje nga fundi i sezonit, Juventusi është matematikisht kampion i Italisë. Ky mund të konsiderohet padiskutim si titulli i Massimiliano Allegrit por edhe si titulli i Carlos Tevezit, i cili me finalizimet e tij ua bëri më thjeshta gjërat bardhezinjëve në këtë sezon.

20 janë golat e realizuar nga Apashi deri tani në këtë kampionat, shifra këto që i japin atij të drejtën të kryesojë listën e golashënuesve dhe nga ana tjetër tregojnë mësëmiri se cfarë klasi zotëron argjentinasi, gjithsesi një dorë drejt titullit të 31-të kampion Juventusit ia dha edhe Paul Pogba, djaloshi i Artë i cili sa më shumë kohë kalon aq tepër përmirësohet.

Në Marassi të Genovas u kurorëzua një sezon që për piemontezët nisi me këmbën e duhur. 6 fitore në 6 javët e para mbi të gjitha ajo 3-2 e arritur ndaj Romës i hapën rrugën skuadrës bardhezi drejt suksesit final.

Verdhekuqtë e Rudi Garcias e konsideronin veten si rivali i madh i Juventusit në garën për titullit, por me triumfin në Juventus Stadium bardhezinjtë dhanë sinjalin e parë se ishin sërish ata që komandonin.Roma nuk arriti të ruante dot ritmin e skuadrës së Allegrit dhe pavarësisht ndonjë gabimi të vogël rrugës Juventusi shkoi në takimin e kthimit atë të javës së 25-të ndaj verdhekuqëve me një avantazh prej 9 pikësh.

Sfida e Olimpicos përfundoi në barazim 1-1 me golat e Tevez e Keita dhe Juventusi që aty e vendosi njërën dorë te titulli. Roma rrëshkiti aq shumë sa pas disa javësh u parakalua në renditje edhe nga Lazio dhe pikërisht fitorja 2-0 ndaj bardhekaltërve të Piolit në javën e 31-të vulosi titullin e 31-të kampion të bardhezinjve. 15 pikë avantazh  ndaj vendit të dytë 7 javë përpara fundit ishin me të vërtetë shumë dhe ja ku erdhi edhe  ndeshja ndaj Sampdorias e vlefshme për javën e 34-t për të kurorëzuar një sezon ëndrrash.

Statistikat e këtij viti nuk janë të njëjta me ato të sezonit të kaluar por Juventusi i Allegrit në ndryshim nga ai i Contes, vërtetë që nuk ka arritur të njëjtën kuotë pikësh por përvec se ka fituar kampionatin është në garë edhe në Champions League dhe Kupën e Italisë.

64 janë golat e shënuar dhe 19 ata pësuar deri në javën e 34-t, bardhezinjtë janë sërish sulmi më i mirë dhe mbrojtja më e mirë e Serisë A, dhe nëse vazhdon me këto ritme Juventusi vështirë se do të ketë rivalë edhe sezonin e ardhshëm ku do të synojë të përsërisë, ecurinë e viteve 1930-1935 periudhë në të cilën bardhezinjtë fituan 5 tituj kampion radhazi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/