2 maj 2015 – Për herë të parë pas incidentit elektoral, reagojnë socialistët e Durrësit. Ata kanë shprehur indinjatën dhe distancimin për ngjarjen e ndodhur në Shkozet.

"Në emër të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe shtabit elektoral të kandidatit të kësaj aleance në qytetin e Durrësit z. Vangjush Dako, shprehim indinjatën tonë të plotë me incidentin e ndodhur midis disa të rinjve.
Ne distancohemi plotësisht nga çdo akt dhune apo çdo gjest që devijon nga filozofia jonë pozitive e fushatës dhe e komunikimit dhe sjelljes elektorale.
Çdo akt vandal apo incident sporadik nuk ka dhe nuk do të ketë mbështetjen nga asnjë strukturë e PS-së dhe koalicionit tonë. 
Ne besojmë që politika duhet t’i bashkojë dhe jo ndajë qytetarët.

Ne besojmë në qytetari dhe sjellje në shërbim të qytetarëve, ndaj, cilido individ që dëshmon për sjellje tjetër nuk do jetë i mirëpritur në familjen tonë politike."

Nga ana e saj, PS-ja e Durrësit hedh dyshimet se flamujt e fushatave po përdoren si kamuflazh për veprime të dhunshme e për të akuzuar më pas kundërshtarin.

"Nëse parti politike përdorin flamujt e fushatave si kamuflazh për veprime të dhunshme e për të akuzuar më pas kundërshtarin, ky nuk është problemi ynë. Ne i dënojmë akte të tilla dhe i bëjmë thirrje PD-së të mos nxisë dhunën dhe konfrontimet fizike. Fushata zgjedhore për kryetarin e bashkisë së Durrësit është dhe duhet të mbesë një garë ku të mbizotërojë forca e ideve, jo ideja e forcës.

Aleanca e Shqipërisë Europiane do të bëjë një fushatë qytetare për qytetarët që nga fillimi i fushatës dhe deri në shpalljen e rezultatit ndaj presim edhe nga pala tjetër politike të kontribuojë njëlloj me ne, në mënyrë që të vendosim një standart qytetarie ashtu siç e meritojnë qytetarët durrsakë", thuhet në deklaratë.

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”