1 maj 2015 – Teuta po vijon me përgatitjet intesive në kuadër të përballjes me Skënderbeun, e cila do të zhvillohet të shtunën. Në kampin durrsak mbizotëron besimi se skuadra do të zhvillojë një ndeshje shumë të mirë në Korçë dhe do të kthehet me pikë në Durrës. Mesfushori Ansi Nika deklaroi se skuadra do të udhëtojë drejt Korçës për të marë maksimumin nga kjo përballje. Nika e konsideron ndeshje shumë të vështirë, ndërsa thekson se Teuta do të bëjë të pamundurën për t'u kthyer me pikë në Durrës.
"Skuadra po përgatitet me intesitet të lartë për sfidën e radhës me Skënderbeun. Gjatë përgatitjeve gjithçka po shkon shumë mirë dhe me shumë gjasa e gjithë skuadra do të jetë në dispozicion për këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Pavarësisht situatës, në skuadër nuk ka panik, madje kemi besim se do dalim shumë mirë në përballjen me Skënderbeun. Sigurisht që do të jetë shumë e vështirë, por ne kemi besim dhe do të futemi në fushën e lojës me qëllimin për të marë maksimuminn nga kjo përballje dhe të kthehemi me pikë në Durrës. Skenderbeu është një skuadër që e vlerësojmë maksimalisht, por nuk e kemi frikë. Madje në përballjet direktë ka patur superivalitet mes Teutës dhe Skënderbeut. Kështu që nuk kemi pse të ndihemi inferiorë", u shpreh fillimisht mesfushori.
Përveç situatës ku ndodhet skuadra, në kampin durrsak besojnë fortë tek mbijetesa. Sipas "djemve të detit", Teuta do ta vulosë mbijetesën në dy sfidat e radhës, me Skënderbeun dhe Kukësin, ndonëse këta dy kundërshtarë duken në letër shumë, shumë të fortë.
"Më keni pyetur edhe herë të tjera për mbijetesën, por unë sërish të njëjtën përgjigje do jap. Vërtet jemi në një situatë alarmante, por e rëndësishme është që fatin tonë e kemi vetë në dorë. Prandaj jemi të bindur dhe as që e diskutojmë fare mbijetesën. Thjesht duhet të përqëndrohemi dhe gjithçka është në favorin tonë. Unë mendoj se Teuta do ta hipotekoj mbijetesën në dy sfidat e radhës me Skënderbeun dhe Kukësin dhe nëse nuk i'a dalim këtu, atëherë do t'ia marim trepikëshin që na duhet Apolonisë. Kemi edhe katër përballje dhe ne jemi të bindur se do grumbullojmë pikët e nevojshme për të mbijetuar", përfundoi Nika.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





