30 prill 2015 – Prokuroria e Durrësit kërkon dënimin me burgim të përjetshëm për Odise Verbofshin, i akuzuar për vrasjen e dy personave dhe më pas djegien e tyre.

Si ndodhi ngjarja në 2014-n

Ngjarja ka ndodhur në 20 shkurt 2014, në zonën e Kënetës në Durrës, pas një përplasjeje mes autorit dhe viktimave, Shaban Babasi dhe Albert Kasalla, për shkak të mospagesës së çmimit për rreth 75 kilogramë kanabis sativa, të cilën i pandehuri u kishte dhënë viktimave.

Sipas hetimit dhe më pas gjatë gjykimit, rezultoi se Verbofshi i ka vrarë dy viktimat në ambientet e shtëpisë së tij në Shkozet, me një armë pistoletë rreth pasdites së datës 20 shkurt 2014, dhe më pas në mbrëmje, i ka hipur trupat e tyre në mjetin me të cilin ata kishin ardhur nga Fushë-Kruja dhe e ka dërguar makinën deri në zonën e Kënetës, ku më pas i ka vënë flakën, për të humbur gjurmët e trupave të viktimave.

Pas krimit, autori është larguar drejt disa të njohurve në tij në qytetin e Korçës, ku ka tentuar të kalojë kufirin. Pasi nuk ka mundur të kalojë në mënyrë ilegale për në Greqi, autori është rikthyer te shtëpia e të njohurve të tij në Korçë dhe u ka kërkuar të njoftojnë policinë, pasi do të dorëzohej duke u treguar edhe për krimin e kryer.

-Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Durrësit kërkon burgim të përjetshëm për këtë shtetas, për akuzat: e “Vrasjes ne Rrethana te tjera cilesuese”; “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje te armeve luftarake apo municioneve” dhe “Prodhimit dhe shitjes se lendeve narkotike”.

Po ashtu, në përfundim të këtij gjykimi, Prokuroria e Durrësit kërkon dënimin me dy vjet burg edhe për shtetasin Ilirjan Thanasi, lidhje shoqërore e të pandehurit Odise Verbofshi, i akuzuar për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/