· U sekuestruan 9 400 litra bërsi rrushi për raki, 4 800 litra verë, 65 litra verë e paetiketuar dhe e ambalazhuar në shishe, si edhe 334,5 litra verë e paetiketuar dhe e ambalazhuar në kuti kartoni, 5 depozita me kapacitet 4 000 litra, 3 depozita me kapacitet 3 000 litra, 7 depozita me kapacitet 1 600 litra dhe 5 depozita me kapacitet 2 200 litra
DURRËS, 29 prill 2015 – Qarku i Durrësit është një nga zonat e njohura të prodhimit të pijeve alkoolike, por në kushtet e një konkurrence të pandershme nga “piratë”, shpesh goditen bizneset e rregullta. Kështu, prokuroria ka hapur çështje penale për prodhim të kundërligjshëm të rakisë dhe verës, pas një denoncimi të doganës për mospagim akcize.
Burime zyrtare nga dega doganore bregdetare bëjnë të ditur se, më 23 mars 2015, grupet e përbashkëta operative të sektorit të akcizës së degës doganore Durrës dhe drejtorisë së hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ushtruan kontroll në një kantinë private, në fshatin Mazhë të komunës së Bubqit, Krujë. Doli se prodhoheshin produkte alkoolike në mënyrë të paautorizuar dhe të jashtëligjshme në mjediset e një restoranti në ndërtim, duke shmangur detyrimet e akcizës.
U gjetën dhe u sekuestruan 9 400 litra të dyshuar si bërsi rrushi për prodhimin e rakisë, 4 800 litra të dyshuar si verë, 65 litra verë e paetiketuar dhe e ambalazhuar në shishe, si edhe 334,5 litra verë e paetiketuar dhe e ambalazhuar në kuti kartoni, 5 depozita me kapacitet 4 000 litra, 3 depozita me kapacitet 3 000 litra, 7 depozita me kapacitet 1 600 litra dhe 5 depozita me kapacitet 2 200 litra (në foto).
Sipas të njëjtit burim, firma ishte regjistruar si subjekt tatimpagues prej vitit 2008 dhe ishte pajisur me leje nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për prodhimin e verës, por asnjëherë nuk ishte regjistruar si subjekt akcize pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Subjekti kishte gjithashtu mangësi të theksuara në dokumentacion, ku mungonin librat e blerjes së lëndës së parë dhe ata të shitjes së produktit përfundimtar.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





