28 prill 2015 – Ministri ende në detyrë i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë z. Erion Veliaj, në kuadrin e fushatës zgjedhore bëri përurimin e rikonstruksionit të shkollës së mesme profesionale “Hysen Cela” në Durrës. Mbërritja e ministrit u prit jashtëzakonisht mirë dhe me mjaft entuziazëm të sinqertë nga nga guzhinierët, pastiçierët, kamarierët dhe rrobaqepset e ardhshme, nxënës të kësaj shkolle. Ministri Veliaj mbajti një fjalim të mirëmenduar dhe të balancuar  si zakonisht një thuajse kryevepër të demagogjisë.

Me zgjuarsi ministri ktheu në favor të tij nja dy  episode të disfavorshme. Sapo filluan të bien disa pika shi, z. Veliaj gjeti rastin për të theksuar se shiu është bereqet. Porsa, nxënësit konviktorë të shkollës sportive aty pranë filluan të fishkëllejnë fjalimin e ministrit, madje-madje të improvizojnë edhe kore të sharash, z. Veliaj me elegancë bëri aleatë nxënësit e “Garuzhdes” si quhen në zhargon nxënësit e Shkollës “Hysen Cela”. Ai u tha atyre, që ata që na fishlkëllejnë, na kanë zili. Shprehje kjo që e çoi në kulm entuziazmin e nxënësve, që merrnin pjesë në takim me ministrin.

Thelbi i fjalimit të ministrit ishte që rinia duhet t’u futet shkollave të cirakërisë (arsimit profesional) dhe të mos synojë gjimnazet apo shkollat e larta për juridik, punë sociale, shkenca politike apo ekonomik. Sipas z. Veliaj, ne d.m.th. ministri dhe nxënësit e “garuzhes”, merreshin me punë, me zanate, ndërsa të tjerët merreshin me llafe, me shpifje e me profka.  Të tjerët ishin nga PD-ja tek akuzat më të fundit të deputetit socialist Blushi. Faktikisht ministri që adoleshent ka qenë OJQ-rist profesionist nga Buxhumbura e Burundit në Tegusigalpa të Amerikës Latine, saqë nuk dihet se kur gjeti kohë për të frekuentuar auditoret ministri ynë. Më pas Veliaj u bë politikan profesionist dhe e vetmja punë, për të cilën mburret ministri është, siç e ka thënë dhe vetë, shitja e fiqve në pazar në moshën e para-adoleshencës. Nëse bëhet fjalë për punë intelektuale, vepra më e madhe e ministrit Veliaj ka qenë vendosja e emrit të tij si përkthyes i librit të shkruar nga Presidenti Obama, ndërsa Blushi mirë-keq ca romane edhe i ka shkruar.

Ekzaltimit dhe reklamës që i bëri ministri shkollës profesionale duke përdorur thënien e urtë popullore: zanati nuk të lë pa bukë, fare mirë mund t’i kundërvihet fakti, që zanati nuk të lë pa bukë, kurse llogjet edhe pa punuar fare në jetë të bëjnë deputet edhe ministër. Në sintezë mund të themi se rinia shqiptare nëse do të hajë një çapë bukë duhet të mësojë zanatet, që sugjeron ministri Veliaj. Nëse duan të bëhen ministra apo deputetë, duhet të bëjnë shkolla të larta tip marëdhënie ndërkombëtare, shkenca komunikimi, juridik si puna e plot deputetëve dhe ministrave të tanishëm shqiptarë.

Realiteti shqiptar fatkeqësisht po zhvlerëson edhe thënien zanati nuk të lë pa bukë. Sot, ndonëse kemi plot minatorë të kualifikuar, në Bulqizë po punojnë minatorë kinezë të gatshëm të lënë edhe kockat në galeri për rroga më të vogla sesa minatorët matanë. Në peshkim, në Durrës në vend të peshkatarëve të kualifikuar shqiptarë po punojnë ganezë, sudanezë e tunizainë për 500-600 euro në muaj, pra për më pak para se peshkatarët shqiptarë. Në sintezë peshkatarët e rinj, që do mbarojnë shkollën, që u sugjeron ministri Veliaj do t’u duhet t’u ulin pazarin sudanezëve, ganezëve dhe tunizianëve!!!!!!!!!!!

Kryebashkiaku Dako mbajti një fjalë të shkurtër përshëndetëse, që kontrastoi dukshëm me fjalimin e ministrit Veliaj. Dako ishte me këmbë në tokë. Ai nga pozitat e një babai, që i ka fëmijët thuajse në një moshë me nxënësit “cirakë”, me fjalë të thjeshta e të dala nga zemra i porositi këta të fundit, të mësojnë më shumë, që ndër të tjera të justifikojnë sakrificat e prindërve të tyre përgjithësisht nevojtarë, që përpiqen t’u japin një zanat fëmijëve të tyre, me qëllim që në jetë të paktën të kenë mundësi të sigurojnë çapën e bukës. Fjalët e Dakos më shumë sesa propagandë fushate elektorale tingëllonin si  një sugjerim i një prindi sa të kujdesshëm aq edhe të dhembshëm.

Dolcis in fundis thotë latini!Na tërhoqën vëmendjen kaloriferët modernë të instaluar në shkollë të ngjashëm me ato që u instaluan falas nga një biznesmen shqiptar kur u bë rikonstruksioni i fundit i Kryeministrisë. Për kuriozitet u interesuam për kaldajën, që do furnizonte me avull këto kaloriferë modernë. Fatkeqësisht kaldaja nuk ishte instaluar, sepse nuk përfshihej në planin e rikonstruksionit të shkollës. Tipik fasadë propagandistike: kaloriferë modernë, por pa kaldajë d.m.th që nuk do të kryejnë rolin për të cilin janë instaluar, ngrohjen e shkollës gjatë dimrit.

Ky detaji i kaloriferëve më kujtoi një inagurim të ish-kryeministrit Berisha gjatë fushatës elektorale të vitit 2013. Berisha inaguroi impiantin e përpunimit të ujërave të zeza të Durrësit. Impianti nuk punoi as kur e inaguroi Berisha, as sot. Nuk punoi, sepse impianti nuk ishte lidhur me tubacione me rrjetin e ujërave të zeza të Durrësit. Si të thuash impianti nuk punoi, sepse i mungonte lënda e parë. Fatmirësisht në fjalimin e ministrit Veliaj dhe të gjithë ceremonisë së inagurimit të rikonstruksionit të shkollës “Beqir Cela” nuk pati mungesë të lëndës së parë si ajo e impiantit të inaguruar nga ish-kryeministri Berisha.

/Gj. Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/