Gjatë vitit 2020, numri i aborteve shënoi rënie kryesisht si pasojë e kufizimeve të jetës sociale që ndikuan rënien e shtatzënive të padëshiruara.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT numri i aborteve në vitin 2020 ishte 4.540, me rënie 14% në krahasim me vitin 2019.

Të dhënat tregojnë se abortet spontane mbajnë peshën më të madhe të aborteve duke përbërë 80,8% të totalit, në vitin 2020.

Në vitin 2020, për çdo 1.000 lindje të gjalla ka pasur 162 aborte. Raporti lindje-abort tregon se për çdo 6,2 lindje, ka ndodhur paralelisht edhe një abort.

Pjesa më e madhe e aborteve kryhen nga gratë e grup-moshës 20-34 vjeç, e cila është dhe grup-mosha më riprodhuese e gruas.

Raporti i abortit për grup-moshën 15-19 vjeç është analizuar në mosha teke, ku në moshën 17 vjeçare kemi vlerën më të lartë të këtij treguesi: 104 aborte për 1.000 lindje të gjalla, sipas INSTAT.

Në vitin 2020, nisur nga niveli arsimori nënës, numri më i lartë i aborteve është kryer nga gratë me nivel arsimor 9 vjeçar dhe të mesëm, duke zënë një peshë përkatësisht me 31,0 % dhe 25,2 %.

Peshën më të vogël e zënë gratë me nivel arsimi fillor (2,5 %), ndërsa përqindja e aborteve nga gratë me nivel arsimor të lartë zë 21,1 % të totalit. Sipas statusit martesor, 73,7 % e aborteve janë kryer nga gratë e martuara dhe 6,7 % nga gratë beqare.

Abortet nga gratë e divorcuara ose të ve janë në nivele shumë të ulëta. Abortet e kryera nga gratë e papuna ose të pasiguruara, ndër vite, ndjekin të njëjtin trend dhe nivele të përafërta. Në vitin 2020, përqindja e aborteve të kryera nga gratë e punësuara shënoi një rënie prej 3,3 pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluara.

Ekspertë të shëndetit publik analizojnë se abortet japin ndikime në ekonomi. Lindjet stimulojnë ekonominë. Prindërit blejnë sendet e nevojshme për to, duke qarkulluar para. Në këtë logjikë, më pak fëmijë nënkupton që bëhen dhe shiten pak produkte.

Një fëmijë i lindur sot është punonjës në të ardhmen, që do të thotë kontribut në ekonominë e përgjithshme. Foshnjat rriten jo vetëm për të punuar, por edhe për të paguar taksa. Pak njerëz nënkupton më pak kontribute tatimore.

Ulja e lindjeve u ngarkon të rinjve të së ardhmes një barrë më të madhe për të mbështetur moshën e vjetër. Një politikë lindjeje e Kinës e zbatuar në vitin 1979, me 1 fëmijë për familje, tani e ka vënë qeverinë e saj në vështirësi, me më pak punëtorë të rinj për të mbështetur një popullsi të plakur. /Monitor