Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë konferencës që ka mbajtur ditën e sotme për mediat, ka komentuar raportin e OSBE/OHDIR për zgjedhjet e 25 prillit.

Gjatë fjalës së tij Basha ka deklaruar se do të vijojë betejën kundër qeverisë së Edi Ramës.

Pyetjes nëse do të ketë protesta në shtator Basha i është shmangur por ka thënë se do të bëjë betejë me të gjitha format dhe mënyrat për rrëzimin e qeverisë.

“Kasandrave që parashikojnë se çfarë do të ndodhë në katër vitet e ardhshme ju them se dhe katër ditë janë një kohë e gjatë. Ne do të intensifikojmë përballjen, do të bëjmë aleancë me shumicën e shqiptarëve. 25 prilli nuk është çështje mandatesh, por çështje ndalimi të paligjshëm të ndryshimit, që shumica e shqiptarëve e dëshironin atëherë, dhe e duan edhe më shumë sot. Detyra jonë nuk është thjesht të ofrojmë programin për të nesërmen, por edhe t’i japim zë, forcë e fuqi kësaj shumice shqiptarësh që duan edhe më shumë ndryshimin e ndaluar përdhunshëm më 25 prill, me të gjitha format dhe mënyrat”, është shprehur Basha.