Detaje të reja janë zbuluar nga vdekja e foshnjës në Pogradec për të cilën u procedua mjekja e maternitetit.
Mësohet se mjekja e klasifikoi foshnjën të vdekur, pasi nga lindja përpara kohe ajo nuk qante.
Nëna 21-vjeçare me iniciale D. Y. lindi fëmijën në javën e 24-rt të shtatzanisë, ndërkohë mjekja në kartelë e regjistroi si abort, pavarësisht se fëmija ishte ende gjallë.
Akoma më e rëndë, mjekja e vendosi fëmijën në një kuti dhe e ka lënë në një sallë pasi ajo nuk qante. 3 orë më vonë, motra e babait të foshnjës, e cila hyri në këtë dhomë dëgjoi të qarat e fëmijës.
Menjëherë foshnja u nis drejt Tiranës për mjekim të specializuar, por nuk ka arritur të mbijetojë.
Babai i foshnjës ka deklaruar në polici të gjithë ngjarjen, duke pranuar se foshnja u gjet në një kuti. Ndërsa policia sekuestroi kartelën mjekësore, mori deklarimin e mjekes Genta Shyta, e cila ka pranuar që ka qenë abort.
Ditën e sotme është dërguar dosja në prokurorinë e Pogradecit, teksa policia po vijon hetimet për mjeken e maternitetit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 24 korrik, ndersa më 31 korrik, foshnja nuk ka mundur dot të mbijetojë. /Panorama