Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për të gjithë për shkak të pandemisë së Covid-19, por për tregun e librit pati disa zhvillime domethënëse.

Ngujimi i gjatë në shtëpi i njerëzve e riktheu vëmendjen tek libri, si dhe pati një rritje të interesit tek letërsia e vlerave, kryesisht tek klasikët dhe autorë të rëndësishëm të letrave. Tregu i botimeve pati ulje drastike të botimeve të hedhura në qarkullim nëse e krahasojmë me vitet e kaluara, si dhe ndërprerje të kontratave me agjencitë dhe autorët, shoqëruar edhe me probleme të tjera.

Bukinist ndan librat më të kërkuar nga lexuesit gjatë vitit 2020, ku kryesojnë botime të zhvillimit personal dhe të motivimit. Edhe për shkak të pandemisë, por edhe të nevojës për më shumë motivim, kjo kategori po shënon rritje domethënëse të kërkesës së lexuesit nga viti në vit. Po ashtu, autorët bestseller botërorë mbeten të tillë edhe për lexuesit shqiptarë.

1.“Mendo dhe bëhu i pasur” nga Napoleon

Ky libër ka ndihmuar shumë njerëz të ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre. Ai mbetet një shtysë e shkëlqyer motivuese për zhvillimin e intelektit personal. Napoleon Hill shpjegon se filozofia që mësohet në libër mund të përdoret për t’i ndihmuar njerëzit që të kenë sukses në të gjitha fushat dhe të bëjnë ose të arrijnë të jenë pothuajse çdo gjë që duan. Sipas revistës “Forbes” (mars 2011) “ky libër është shitur në më shumë se 70 milionë kopje që prej botimit të tij të parë dhe vazhdon të shitet vrullshëm edhe sot”.

2. “Tatuisti i Aushvicit” nga Heather Morris

Një roman i bazuar në një histori të vërtetë nga Heather Morris! Një histori dashurie në një kamp përqendrimi; ajo e Lejli dhe Gita Sokolovit, jo vetëm që do t’u mbijetonte ditëve të vështira, por do të dokumentohej me detaje shumë vite më pas. Një histori e mbetur peng për shtatëdhjetë vjet me radhë, e cila do t’ju bëjë për të qarë, por edhe do t’ju falë optimizëm. Janë shkruar libra pa fund për Holokaustin, por asnjë si ky që ka në dorë lexuesi shqiptar prej dy vitesh, – i pasuar edhe me librin e dytë të kësaj autoreje, “Rrugëtimi i Silkes”.

3. “Gjuetari i balonave” nga Khaled Hosseini

Pa frikë, ky libër mbetet ndër më të pëlqyerit nga lexuesit shqiptarë, të cilët përgjithësisht janë të pasionuar pas historive me fund tragjik dhe realiteteve që përkojnë me ato të një mjedisi tipik shqiptar. Ky roman është i shkëlqyer; ka një fabul tronditëse e cila e bën këtë libër të paharrueshëm jo vetëm si një kronikë politike, por edhe si një rrëfenjë të thellë personale… Ndodh rrallë që një libër t’i përshtatet kaq shumë kohës dhe njëkohësisht të ketë cilësi kaq të lartë letrare. Ky roman dhe të gjithë romanet e tjera të Khaled Hosseini mbeten bestseller absolutë edhe për lexuesit shqiptarë. Ky libër ka vetëm një të metë, – mbaron shpejt, – thotë Amazon. Prandaj edhe në Shqipëri ka mbi 12 ribotime si roman.

4. “Baba i pasur, baba i varfër” nga Robert Kiyosaki

Çuditërisht, gjatë periudhës së pandemisë ky ka qenë ndër librat më të kërkuar nga lexuesit shqiptarë. “Baba i pasur, baba i varfër” është një pikë fillestare për secilin që dëshiron të marrë kontroll mbi të ardhmen e tij financiare. Ky botim do t’ua rrëzojë mitin se keni nevojë për të ardhura më të mëdha për t’u bërë i pasur; ta sfidojë besimin se shtëpia juaj është burimi financiar; t’u tregojë prindërve përse ata nuk mund të mbështeten në sistemin shkollor për të mësuar fëmijët e tyre rreth parasë; t’iu mësojë si t’i harxhoni burimet dhe shpenzimet financiare; t’iu udhëzojë si t’i mësoni fëmijët tuaj me paratë që të jeni më të sukseshëm financiarisht në të ardhmen. Robert Kiyosaki është një biznesmen, investitor, autor librash dhe mësues. Ai i mëson njerëzit që të bëhen milionerë. Për këtë arsye ata e quajnë mësues shkolle për milionerë…

5. “Dashuria në kohërat e kolerës” nga Gabriel Garcia Marquez

Një klasik modern që shitet në çdo lloj kohe, por gjatë vitit 2020 pati një rikthim të fuqishëm nga lexuesi shqiptar. Sikundër nënkuptohet nga titulli, Gabriel Garcia Márquez ka shkruar roman për dashurinë, për dashurinë me të gjitha fytyrat e saj: dashuri rinore, dashuri bashkëshortore, dashuri romantike, dashuri të mishit, dashuri, madje, edhe me shenjat e kolerës. Për më tepër, ai ka shkruar një vepër arti që rrezaton një humanizëm të atillë, që lexuesit do ta ruajnë thellë në zemër si diçka të shtrenjtë dhe do ta kujtojnë sa të kenë jetë në këtë botë. Kjo kryevepër e letërsisë botërore vjen në mënyrë dinjitoze falë shqipërimit mjeshtror nga gjuha origjinale prej Mira Meksit.

6. “Murtaja” nga Albert Kamy

Ky libër ishte një ndër tre librat më të kërkuar në botë gjatë vitit të pandemisë. Sigurisht, kjo falë meritës së gjenisë së nobelistit Albert Kamy dhe natyrës specifike të receptimit të veprave të gjithëbotshme letrare. Përmes kësaj vepre mësojmë më shumë për çështje thelbësore etike sesa ato që kanë të bëjnë me titullin, të cilat përkuan edhe me dramën e Covid-19 gjatë vitit që lamë pas: E keqja në botë vjen pothuajse gjithmonë nga padija, teksa vullneti i mirë, nëse nuk shihet qartë, mund të shkaktojë po aq dëme sa edhe ligësia. Njerëzit janë më “tepër të mirë sesa të ligj, por në të vërtetë çështja nuk qëndron aty. Njerëzit janë më pak apo më shumë të paditur dhe kjo është ajo që quhet virtyt ose ves, ndërsa vesi më dëshpërues është ai i padijes që pandeh se i di të gjitha dhe atëherë i jep vetes të drejtën për të vrarë.

7. “Arti i brishtë i not giving a f.ck” nga Mark Manson

Ky libër mbetet ndër më të kërkuarit nga lexuesit shqiptarë që kur është hedhur në qarkullim për herë të parë. Dhe a e dini se pse?! Mark Manson e sheh realitetin me qartësinë dhe sinqeritetin maksimal, duke e parë atë si një mjedis plot sfida dhe probleme për individin. Këtu nis edhe aventura narrative e autorit, i cili ka një optikë të kundërt me atë të të menduarit pozitiv. Në këtë udhëzues për zhvillimin personal, blogeri shumë i njohur na këshillon që të përmirësohemi përmes përballimit të vështirësive. Manson na këshillon të mësojmë kufizimet tona dhe t’i pranojmë ato. Ai thotë se ky është burimi i vërtetë i forcës. Kur përqafojmë frikën, fajet dhe pasiguritë tona – kur nuk u largohemi dhe nuk u shmangemi të vërtetave të dhimbshme, por përballemi me to – mund të gjejmë guximin dhe vetëbesimin, të cilat i kërkojmë me aq dëshpërim.

8. “Sekreti” nga Rhonda Byrne

Autorja Rhonda Byrne ka goditur në shenjë, duke përmbushur thelbësisht anën shpirtërore të lexuesit, prandaj ai konsiderohet si një Sekret i Madh që zbulohet pareshtur nga miliona lexues edhe sot. Ky Sekret shekullor është kuptuar nga disa prej njerëzve më të mirënjohur në histori: Platoni, Galilei, Bet’hoveni, Edisoni, Karnegi, Ajnshtajni – bashkë me disa shpikës të tjerë, teologë, shkencëtarë, dhe mendimtarë të mëdhenj. Tani Sekreti po i zbulohet botës.

Për herë të parë, të gjitha pjesët e sekretit bashkohen në një zbulim të pabesueshëm, që do t’ia transformojë jetën gjithkujt që do ta përjetojë. Në këtë libër do të mësoni si ta përdorni sekretin në çdo aspekt të jetës – me paratë, pasurinë, lidhjet, lumturinë dhe në çdo ndërveprim që keni në botë.

9. “Friend Request” nga Laura Marshall

“Kërkesë për miqësi” është romani që do t’ju mbërthejë që në faqen e parë dhe do t’ju lërë pa frymë deri në të fundit. Romani i Laura Marshall është konsideruar si trilleri më i bukur i vitit dhe pa frikë është sot thrilleri më i kërkuar edhe nga lexuesit shqiptarë. Për këtë arsye vazhdon të ketë kërkesa të shumta edhe sot, gati dy vjet pas hedhjes në qarkullim nga shtëpia botuese Living.

10. “Të bëhesh” nga Michelle Obama

Nuk ka një biografi të dytë që të jetë kaq e kërkuar sa “Të bëhesh” e Michelle Obama. Ky libër kërkohet jo vetëm nga lexueset femra, por edhe nga meshkuj dhe çuditërisht ka kapërcyer paragjykimet se ka një kosto të lartë. Librat me vlera i kërkon lexuesi shqiptarë, pavarësisht çmimit apo pengesave të tjera.

Në këtë libër, për herë të parë, Michelle Obama përshkruan jetën e saj, që nga fëmijëria, raportet me prindërit, fillimet e martesës, vështirësitë për të gjetur një ekuilibër mes karrierës, familjes dhe ngjitjes së vrullshme të të shoqit në politikë. Na zbulon debatet e tyre lidhur me mundësinë për të konkurruar për presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe na rrëfen për popullaritetin që përjetuan dhe për kritikat që morën gjatë fushatës elektorale. Me finesë, sens humori dhe një sinqeritet të pazakontë, Michelle Obama shfaq gjithë jetën e një familjeje që, krejt befasisht, u ndodh nën dritat e projektorëve dhe përballë gjithë botës, si dhe tetë vitet më domethënëse në Shtëpinë e Bardhë, ku ajo e njohu më mirë vendin e saj, por edhe vendi i saj e njohu më mirë atë.

Becoming – Të bëhesh, na shoqëron në një udhëtim nga kuzhinat modeste të Jovas te sallat e ballos në Buckingham Palace, nëpër çaste dhimbjesh therëse dhe provash qëndrueshmërie këmbëngulëse, duke na zbuluar shpirtin e një gruaje të veçantë dhe revolucionare, e cila lufton për t’u ndier mirë me veten, plotësisht e zonja për të vënë gjithë forcën dhe zërin në shërbim të idealeve më të larta./Monitor