Ushtritë e nëntë formacioneve kundërshtare janë bërë gati dhe po marshojnë për në fushat e blerta të betejës, me qëllimin e vetëm: fitimin e trofeve të fitimtarëve. Teuta duhet të tregojë edhe në këtë luftë se është fitimtare. Lëvizjet në merkato të saj, ndonëse qetë e pa zhurmë, por gjithnjë në funksion të një objektivi të qartë, po formonin në mënyrë graduale një mozaik që kishte në majën e saj emrin më të rëndësishëm të transfertave të kësaj vere, ose edhe vjeshte, duke parë kohëzgjatjen e dritares.
Valport vishet me fanellën e kaltër të Teutës dhe është një detaj që shpall hapur kandidaturën e durrsakëve për ruajtjen e titullin kampion. Valport është lojtari që mund të bëjë diferencën, bashkë me 10 të tjerë që kanë janë afruar në Durrës në merkato.Nëse holandezi, me teknikë fine e goditje precize mbush boshllëkun e lënë nga ikja e Krasniqit, Teuta tashmë beson se sulmi ka gjetur goleadorin e munguar. Dhe po t’i shtosh këtu talentin e Lorenco Vilës, eksperiencën e E.Vilës, Aleksit, Arapit, Dajës, Todorovskit, Kotobellit apo edhe Xheksonit, si dhe klasin e Kallakut, Martini ka në dorë një skuadër plot alternativa ku tekniku nuk ka më frikë të kthejë kokën nga pankina.
Skuadra fituese e kampionatit, Kupës e Superkupës tashmë e ka të mundur të ruajë titullin në fuqi dhe nuk mund të fshihet më.E kupton qartë në bilancin e shpejtë, ku të larguar janë disa emra, por edhe sepse në mesfushë kanë ardhur njerëz të eksperiencës dhe lojtarë krejtësisht për t’u zbuluar si Selmani, Gorgievi e të rinj premtues. Tekniku shkodran ka formuar ekipin e vet e nuk ka humbur absolutisht asnjë lojtar, që e kishte konsideruar të rëndësishëm për skemën e tij apo skuadrën.Tani, Teuta mund të matet lehtësisht me të gjithë rivalët e tjerë për titull, se për merkaton, të paktën në letër, i ka kaluar. Durrsakët kanë një ekip solid dhe me Martinin në krye, pretendimet janë për më shumë këtë verë. Europën e provuan, ndërsa në Durrës do të guxojnë të ruajnë titullin.





