Teuta ka bërë një investim jo të vogël për portën pas largimit të Stivi Frashërit. Ky i fundit nuk rinovoi marrëveshjen me durrsakët, duke preferuar të vazhdojë karrierën në Kosovë, por klubi arriti të blinte kartonin e Pano Qirkos, i cili mbylli sezonin me Bylisin në Superiore.Portieri i lindur në Vlorë tregoi arsyet pse firmosi në Durrës.

Ai shpreson që të bëjë sa më mirë në ekipin kampion, ndërsa zbulon se portieri që e frymëzon në futbollin botëror është ai i Atletikos së Madridit, Jan Oblak. Debutimi i Qirkos me fanellën e “djemve të detit” pritet të bëhet ndeshjen e 28 gushtit ndaj Vllaznisë për finalen e Superkupës.

Pano, pas një sezoni me Bylisin, tani bëheni pjesë e Teutës. Si ndiheni pas këtij transferimi?

Të jem pjesë e klubit të Teutës është kënaqësi dhe krenari njëkohësisht, sepse është një emër i madh i futbollit shqiptar dhe për më tepër ekip kampion.

Çfarë ju bindi më shumë të firmosnit në Durrës?

Më bindi korrektësia dhe objektivat që ka ky klub për të ardhmen. Gjithashtu, një arsye ishte edhe qetësia që mbizotëron në këtë ambient. Kjo besoj se do të ma bëjë akoma më të lehtë përshtatjen.

Vini në ekipin kampion dhe duhet të zëvendësoni Stivi Frashërin, i cili pësoi më pak gola se kushdo në sezonin e fundit. Jua shton presionin ky fakt?

Stivi bëri një sezon shumë të mirë dhe e përgëzoj për atë që arriti. Unë shpresoj të vazhdoj me të njëjtin ritëm që kishte ekipi sezonin e kaluar. Kam shumë besim te ky grup.

Besoni se mund të jetë sezoni i shpërthimit tuaj në Superiore?

Shpresoj shumë, pasi me punë dhe me pak fat, e ndiej se mund të jetë sezoni im. Me punë dhe përkushtim në çdo seancë arrihet çdo gjë.

Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës, ku mendoni se mund të arrini përmes aktivizimit në këtë ekip?

Sigurisht që synimet janë të mëdha, sepse jemi ekipi kampion tashmë. Si çdo lojtar, edhe unë kam synime të bëj sa më mirë dhe të fitoj trofe. Objektivi im është të transferohem në një kampionat jashtë Shqipërisë, si çdo futbollist i Superiores që e ëndërron këtë lëvizje. Momentalisht jam i fokusuar tek aventura e re që sapo kam nisur. Uroj që gjithçka të shkojë mbarë, duke filluar me finalen e Superkupës.

Cili është portieri që ju frymëzon në futbollin botëror?

Portieri që kam pëlqyer gjithmonë që i vogël është slloveni Jan Oblak, i cili prej vitesh luan tek Atletiko e Madridit. Për mua ai është një ndër portierët më të mirë në botë, prandaj dhe e kam si shembull frymëzimi.