Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama në fjalimin e tij përmbyllës të mandatit të dytë qeverisës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një e keqe e vjetër që e ka bërë Shqipërinë të pajetueshme për fëmijët.

Sipas kreut të PD-së, bilanci real i kësaj qeverie është korrupsion, krim, varfëria dhe largimi i shqiptarëve nga vendi.

Basha shton se Partia Demokratike është e angazhuar për të sjellë ato zgjidhje që masakra e 25 prillit u mohoi qytetarëve.

Postimi i Bashës:

Asgjë e re nga përsëritja e mashtrimeve të vjetra. Plehrat digjen në kriza mjedisore të stisura për të çuar taksat e qytetarëve te mafia e inceneratorëve, krimi gëlon prej ortakërisë me pushtetin, korrupsioni që ka kapur shtetin është i përhapur në cdo qelizë të qeverisë

Ky është bilanci real i një regjimi që masakron zgjedhjet vetëm për të vjedhur familjet shqiptare. Autorët e tij duhet të ishin përpara drejtësisë për atë që u kanë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 8 vite, jo duke përrallosur për arritje imagjinare.

PD e Shqiperise është e angazhuar për të sjellë ato zgjidhje që masakra e 25 prillit u mohoi qytetarëve, sepse asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një e keqe e vjetër që e ka bërë Shqipërinë të pajetueshme për fëmijët tanë.