Skuadra blu iu rikthye fushës së blertë, për të vijuar të tjera ditë stërvitje që të marrë edhe “dozën e fundit” të ngarkesës në fazën përgatitore. Kjo, për vetë faktin se në fundjavë luhet finalja e Superkupës ndaj Vllaznisë. Teuta ka punuar pasdite në stadiumin “Niko Dovana”.

Skuadra si zakonisht ka kryer ritualet e zakonshme. E drejtuar nga Edi Martini, ajo po bën përgatitjet e fundit para ndeshjes që Teuta do të luajë me Vllazninë të shtunën. Sfida do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Si fillim, skuadra zhvilloi vetëm dy vrapime rreth fushës e më pas disa ushtrime atletike dhe streçing. Vetëm pak xhonglime dhe mbajtje e topit në ajër dhe më pas Martini filloi të punonte me vendosjen e lojtarëve në fushë.

Ai dukej i fiksuar pas skemës pasi nuk ndalej së foluri dhe së udhëzuari pothuajse gjysmën e ekipit. Martini ndau lojtarët në dy grupe dhe organizoi një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë njëkohësisht me ndalime të shumta dhe udhëzime. Më shumë mund të quhej një mësimore kjo ndeshje e jo vlerësim i gjendjes së lojtarëve.

Pas përfundimit të ndeshjes së kontrollit, lojtarët u ndanë në dy grupe. Disa po zhvillonin goditje nga larg për në portat e vogla, kurse në grupin e tretë Kotobelli dhe Kallaku u shfaqën si ekzekutues të goditjeve nga këndi për t’u shërbyer sulmuesve të ekipit, si Gorgiev, Valport, Gruda dhe Kapllani. Në fund gjithçka u mbyll me disa penallti të ekzekutuara ku herë portën e mbronte Qirko e herë Çeleski.