Fondi i dhënë për rimbursimin e barnave pësoi rënie më 5 për qind në vitin 2019, por Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor pohoi se ka një rritje të ndjeshme të fondeve të rimbursuara për diganoza të rënda, si diabetiket dhe paaftësi psikikë.
Shpenzimet e rimbursimit barnave e pajisjeve në vitin 2019 ishin 10,5 miliardë lekë ose 550 milionë lekë më pak se viti 2018, mirëpo për rimbursimin e sëmundjeve të renda pati rritje të shpenzimeve.
Rritja më e madhe në shpenzimet e rimbursimit vërehet në Grupi L “Barnat antineoplazike dhe imunosupresore” me 61,9 milion lekë më shumë se vitit 2018, duke zënë rreth 22,3% të totalit të shpenzimeve të rimbursimit vjetor. Ky grup përbëhet kryesisht nga barna spitalore me ndikim të lartë financiar dhe që trajtojnë diagnoza të rënda si Tumore, Leucemi, Hepatit B dhe C, etj.
Te ky grup rritja më e madhe krahasuar me vitin 2018 konstatohet tek barnat e ` Nilotinib 150 mg me një rritje prej 14,4 milion lekë më shumë se një vit më parë; ` Ribociclib 200 mg me një rritje prej 105 milion lekë më shumë se një vit më parë; ` Trastuzumab (Herceptine) me një rritje prej 44,3 milion lekë më shumë se një vit më parë; ` Abiraterone acetate 250 mg me një rritje prej 67,1 milion lekë më shumë,etj.
Rritje e shpenzimeve për rimbursim ishte edhe për grupin e barnave që trajtojnë diabetin. Grupit A “Trakti digjestiv dhe metabolizmi” u financua në vitin 2019 me 8 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për vitin 2019 ky grup zuri 18.3% të shpenzimeve të rimbursimit. Te ky grup rritja më e madhe krahasuar me vitin 2018 konstatohet tek barnat e nëngrupit të Antidiabetikëve të cilët zënë 96,4% të shpenzimeve të gjithë grupit ose 17,6% të shpenzimeve vjetore të rimbursimit. Konkretisht për barnat: ` Insulinë Aspart solution 100 Nj.N/ml-3 ml me një rritje prej 28,2 milion lekë më shumë se viti 2018 ` Insulinë Glarginë solution 300 Nj.N/ml (Lantus solostar) me një rritje prej 14,8 milion lekë më shumë.
Për grupin e sëmundjeve “ Të paaftë fizik e psiqik” pati rritje të shpenzimeve të rimbursimit me 24,2 milion lekë më shumë me 2019 se një vit më parë. Kjo kategori zë 3.7% të shpenzimeve të rimbursimit për vitin 2019. Rritja për këtë kategori është shkaktuar nga rritja e numrit te recetave me rreth 5,346 receta më shumë se në Vitin 2018, si tregues i rritjes se rasteve të trajtuara me barna të rimbursuara.
Për vitin 2019, 20 barnat që tregtohen në farmacitë e rrjetit të hapur me impaktin më të lartë financiar në shpenzimet e rimbursimit, zënë rreth 29,1% të totalit të rimbursimit ose 3,104 milion lekë, ndërsa 20 barnat spitalore me impaktin më të lartë financiar, zënë rreth 24.1% të shpenzimeve të vitit 2019 ose 2,524 milion lekë.
Bari spitalor me rimbursimin më të lartë është Nilotinib 150mg (i përdorur për të trajtuar leuçeminë kronike) dhe bari ambulator (i rrjetit të hapur) me rimbursimin me të lartë është Rivaroxaban 20mg ( hollues gjaku).
Lista e Barnave të Rimbursuara që filloi efektet në Korrik 2019 u zgjerua me 14 barna të reja, nga të cilat 12 barna lëvrohen në farmacitë e spitaleve. Kjo listë kishte 1,150 alternativa tregtare, nga të cilat 585 janë alternativa të para dhe të vetme, si edhe 350 principe aktive. /Monitor