Ditën e sotme, Autoriteti Portual Durrës ka hapur një tender me vlerë 7.8 milionë lekë për “Rehabilitimin e zonës së ish-peshkimit”. Të gjitha kompanitë e interesuara kanë afat deri më datë 13 shtator të dorëzojnë ofertat.
Në një kohë që prej muajsh flitet shumë për projektin e portit turistik, i cili parashikohet të jetë më i madhi në rajon, APD vendos të shpenzojë rreth 78 milionë lekë të vjetra për ta shndërruar këtë sipërfaqe të portit në vend parkimi për anijet dhe makinat e punonjësve të portit.
“Në këtë projekt synohet kthimi në punë i sheshit të ish-peshkimit dhe shfrytëzimit të tij për qëllime të ndryshme si ankorimin e anijeve në të thatë, për parkim të punonjëseve dhe automjeteve të ndryshme të portit etj”,- thuhet në argumentimin që është bërë në raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis për këtë projekt (dokumenti bashkangjitur këtij shkrimi).
Sheshi në fjalë është në gjendje jo të sistemuar, me inerte dhe mbeturina që janë ilustruar përmes fotove në të njëjtin dokument. Në përfundim të projektit, APD synon që të arrihen objektivat:
Terreni ⋅ Sistemimi i ambjenteve të jashtme me platforma kaluese gjelberimi
Sistemimi i një ambjenti të jashtem për vendqëndrimin e automjeteve
Sistemimi i terrenit të jashtëm për aksesin në ambientin e ndërtesës nga rruga kryesore për automjete dhe këmbësorët me anë të murit rrethues
Në bazë të projektit, kohëzgjatja e plotë e parashikuar e procesit të ndërtimit dhe zhvillimit të kësaj zone do të jetë rreth 2 muaj për secilin lot.
APD është kujdesur të theksojë se në zonën ku do të zhvillohet projekti nuk do të ndërtohet ndonjë objekt i ri.
“Zona në të cilën zhvillohet projekti në fjalë kryesisht është zonë kryesisht me ndërtesë të infrastrukturë publike dhe në sheshin në fjalë nuk do të ketë ndërtim të ri, toka është e tipit truall, pra nuk cenon bimësinë në zonë. Gjithashtu duhet të theksojmë se projekti është rehabilitues dhe vetëm do sistemojë dhe do të rregulloj vendin përreth dhe nuk ka për qëllimin ndërtimin e objekti të ri.” – thuhet në dokument.